Ish-kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Berat Rukiqi nga sot do të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka njoftuar i pari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut, Rukiqi do t’i jep vlerë projektit politik të LDK-së.
“Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë Berat Rukiqi, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik”, njofton Abdixhiku.
Ai shton se ish-kryetari i OEK-ut i njeh mirë gjitha sfidat e sektorit privat.
“Berat Rukiqi ka magjistruar në Bruksel mbi Politikat Ekonomike të Bashkimit Evropian; gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme. Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore”, shton ai.
Në fund, Abdixhiku thekson se LDK-ja po shton çdo ditë profesionistët në radhët e veta.
“LDK është e lumtur që – si adresë e vetme e njerëzve profesionistë – po shton radhët e veta secilën ditë. Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes”, përfundon Abdixhiku.
Rukiqi ishte zgjedhur kryetar i OEK-ut në muajin korrik 2018, e që kishte qëndruar me një mandat 4 vjeçar. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë