LAJMI I FUNDIT:

Ish-kandidati i AAK-së për asamblist në Prizren arrestohet nga Njësiti Antidrogë

Ish-kandidati i AAK-së për asamblist në Prizren arrestohet nga Njësiti Antidrogë

Ish-kandidati për Asamble Komunale në Prizren nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkodran Pulaj është arrestuar sot në aksionin e Njësitit të Antidrogës së Policisë së Kosovës.

Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga ana e drejtorit të Policisë në Rajonin e Prizrenit, Faton Alija.

“Po janë katër të arrestuar, është edhe Shkodran Pulaj” – ka thënë Alija.


Në një postim të vjetër në Facebookun e Shkodran Pulajt, ai kishte konfirmuar se kishte dhënë dorëheqje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Nga sot së bashku më gjithë kryesin e nëndegës se Bajram Currit në Prizren japim dorëheqje të pa revokueshëm nga subjekti politik AAK dega në Prizren” – kishte thënë ai.

Lidhur me rastin është kontaktuar edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

“Me sa u informuam nga Dega e Aleancës në Prizren, personi në fjalë që qenka apostrofuar si zyrtar i AAK-së, nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është pjesë e asnjë strukture apo forumi të degës” – ka thënë ai.

Tutje Xhemaili tha se sipas informatave që kanë pranuar nga Dega e Aleancës në Prizren, personi në fjalë ka qenë vetëm kandidat për asamble komunale në 2021.

Ndonëse zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili thotë se Pulaj s’ka pasur pozitë brenda AAK-së, vet Pulaj, para disa muajve, përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se “ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Bajram Currit në Prizren”./Kallxo.com