Irani sulmon me raketa zyrën e Netanyahut, reagon Izraeli

Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se sulmet e tyre të fundit me raketa kanë synuar zyrën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe selinë e komandantit të forcave ajrore izraelite.
“Zyra e kryeministrit kriminel të regjimit sionist dhe selia e komandantit të forcave ajrore të regjimit u shënjestruan”, thuhet në një deklaratë të Gardës, të transmetuar nga agjencia e lajmeve Fars.
Raportohet se në sulm u përdorën raketa Kheibar, shkruan Times of Israel.
Ndërkohë, pala izraelite bën të ditur se nuk ka viktima apo të plagosur nga sulmet e raportuara.
Ndryshe, një seri shpërthimesh të reja u dëgjuan mbi Jerusalem të hënën, raportuan gazetarët e AFP-së, pasi ushtria izraelite tha se kishte zbuluar raketa të reja të lëshuara nga Irani.
"Pak kohë më parë, IDF identifikoi raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të Izraelit. Sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur kërcënimin", tha ushtria në një deklaratë.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kritikoi ashpër "sulmet e pamatura dhe pa dallim nga Irani dhe aleatët e tij kundër territoreve sovrane në të gjithë rajonin", pasi sulmet goditën një bazë ajrore britanike në Qipro dhe një strukturë nafte saudite.
“Duhet të punojmë shumë për të ulur tensionet dhe për të ndaluar përhapjen e konfliktit”, u tha von der Leyen gazetarëve në Bruksel, duke paralajmëruar se “stabiliteti i rajonit është me rëndësi të madhe”.
Izraeli dhe SHBA-të kanë goditur objektiva në të gjithë Iranin që nga e shtuna. Lufta që filloi me vrasjen e Khameneit ka përfshirë rajonin, me shpërthime që kanë pasuar në Dubai, Bahrein, Irak dhe vende tjera të Lindjes së Mesme. /Telegrafi/
















































