Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka filluar një hetim paraprak për të verifikuar nëse ndonjë pjesëtar i Policisë së Kosovës ka pasur lëshime apo përfshirje të mundshme në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit të shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Për të ruajtur integritetin e hetimit dhe për të shmangur çdo ndikim mbi dëshmitarë apo prova, IPK ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.


Sipas rekomandimit, janë suspenduar: një rreshter policor dhe një hetues nga njësia e hetimeve rajonale, një rreshter policor, shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës, si dhe një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë.

IPK, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, po zhvillon hetime penale paraprake ndaj të suspenduarve, për dyshime mbi përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale. Hetimet janë ende në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e provave materiale, marrjen e deklaratave dhe veprime të tjera procedurale./Telegrafi/