Instituti GAP: Shpenzimet kapitale të komunave po pasqyrohen jo saktë, çrregullohet monitorimi i projekteve publike

Instituti GAP ka publikuar sot analizën e shkurtër “Paraqitja jo e saktë e realizimit të investimeve kapitale të komunave: implikimet në transparencë dhe monitorim”, duke ngritur shqetësimin se shpenzimet kapitale të komunave nuk po pasqyrohen saktë në raportet financiare të Thesarit të Kosovës.
Sipas GAP, rritja e pagesave për obligime gjyqësore dhe përmbarimore në komunat e Kosovës, që burojnë kryesisht nga kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi, është ekzekutuar nga Thesari i Kosovës nga të gjitha linjat buxhetore, përfshirë edhe fondet e investimeve kapitale.
Kjo ka bërë që shpenzimet të paraqiten gabimisht si realizim i investimeve kapitale, duke shtrembëruar nivelin real të projekteve publike dhe duke vështirësuar monitorimin e tyre.
Instituti GAP rekomandon përditësimin e raporteve financiare të Thesarit me kategori të reja që ndajnë shpenzimet reale për projekte nga pagesat përmbarimore, si dhe rishqyrtimin e kritereve minimale të Grantit të Performancës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Sipas GAP, kriteret aktuale po favorizojnë vetëm komunat me më pak obligime përmbarimore, ndërkohë që komunat që kanë shpenzime për pagesa të detyrueshme po diskualifikohen nga përfitimi i granteve.
Analizën e plotë të Institutit GAP mund ta lexoni KËTU. /Telegrafi/
















































