Inflacioni 6.7% në mars, Bajrami: Kjo është kriza që qytetarët e Kosovës po e paguajnë çdo ditë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj rritjes së inflacionit në vend, duke kritikuar Qeverinë për siç tha ajo mungesë të masave konkrete për përballimin e rritjes së çmimeve.
Në një reagim, Bajrami iu referua të dhënave të Agjencia e Statistikave të Kosovës, sipas të cilave inflacioni në muajin mars ka arritur në 6.7 për qind.
“Derisa kryeministri i Kosovës, me ligjëratë për ekonomië po ‘lë gojëhapur’ në Londër ekonomistët me renome botërore, këtu Agjencia e Statistikave të Kosovës, që operon në Zyrën e po këtij kryeministri, ka dalë me publikim ku tregon se inflacioni në mars ka arritur në 6.7%”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se, megjithëse kjo përqindje paraqet rritjen mesatare të çmimeve krahasuar me vitin e kaluar, situata reale sipas saj është më e rëndë për qytetarët.
“Të kuptohemi drejtë: 6.7% është rritja mesatare e çmimeve në krahasim me vitin e kaluar, por realiteti është shumë më i hidhur dhe këtë e dinë qytetarët që shkojnë çdo ditë në market”, është shprehur ajo.
Duke iu referuar statistikave, Bajrami ka renditur disa nga rritjet më të theksuara të çmimeve:
-Çmimet e shërbimeve të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit janë rritur +42.5%,
-Çmimet e biletave të fluturimeve +38.4%,
-Çmimet e furnizimit me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin +31.9%,
-Çmimet e energjisë dhe karburanteve +17.4%.
-Çmimet e lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet 15,6%
-Çmimet e pemëve +13.1%
-Çmimi i mishit +12.4%
-Çmimet e kafes, çajit, kakaoa +7.8%”.
Ajo ka shtuar se rritja e çmimeve ndikon drejtpërdrejt edhe në të hyrat e shtetit.
“Mos harroni se me të njëjtën përqindje rriten edhe të hyrat e Qeverisë nga tatimi i këtyre produkteve. Kjo është kriza që qytetarët e Kosovës po e paguajnë çdo ditë”, ka thënë Bajrami.
Sipas saj, rritja e çmimeve ka prekur produktet bazike për jetesë, duke rënduar gjendjen ekonomike të qytetarëve.
“Pra, gjithçka që qytetari ka nevojë për të jetuar është bërë më e shtrenjtë. Ndërkohë, Albin Kurti ka dalë nëpër botë e po shet mend për ‘stabilitet ekonomik’. Çfarë stabiliteti është ky kur rritja e çmimeve është dyshifrore dhe qytetarët detyrohen të heqin dorë nga gjërat bazike”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Bajrami ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë ndaj prodhimit vendor dhe sektorëve ekonomikë.
“Çmimet nuk ulen me ligj as ligjërata, çmimet mbahen të ulëta kur ndihmon sektorin e prodhimit, kur objektiv e ke zëvendësimin e importit me prodhim vendor, kur je në gjendje t’i ndihmosh këtij sektori edhe duke hequr dorë nga disa të hyra buxhetore”, është shprehur ajo.
Ajo ka vazhduar kritikat ndaj kryeministrit, Albin Kurti.
“Albin Kurti mundet veç një ligjëratë me mbajtë: me u tregu partive politike nëpër botë si fitohen zgjedhjet duke blerë vota me buxhet të shtetit. Ky është suksesi i tij i vetëm, i faktuar deri me tani”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/




















































