Parlamenti i Hungarisë ka miratuar një amendament në kushtetutë, që i lejon qeverisë të ndalojë ngjarjet publike nga komunitetet LGBTQ+.

Studiuesit juridikë dhe kritikët e quajnë vendimin e së hënës një hap tjetër drejt autoritarizmit, pasi qeveria populiste vazhdon të kufizojë të drejtat e komuniteteve LGBTQ+, transmeton Telegrafi.


Amendamenti kaloi sipas linjave partiake, me 140 vota pro dhe 21 kundër. Ai u propozua nga koalicioni qeverisës Fidesz-KDNP i udhëhequr nga kryeministri populist Viktor Orbán, të cilin kritikët e kanë akuzuar për përdorimin e taktikave gjithnjë e më autokratike gjatë sundimit të tij 15-vjeçar.

Përpara votimit, politikanët e opozitës dhe protestuesit e tjerë u përpoqën të bllokonin hyrjen e një garazhi të parkimit të parlamentit, për të parandaluar hyrjen e ligjvënësve të partisë në pushtet.

Policia largoi fizikisht demonstruesit që kishin përdorur zinxhirë për t'u lidhur.

Amendamenti kodifikon një ndalim të ngjarjeve publike LGBTQ+ duke përfshirë ngjarjen popullore Pride, që tërheq mijëra njerëz çdo vit në kryeqytetin, Budapest.

Ai deklaron se të drejtat e fëmijëve për zhvillim moral, fizik dhe shpirtëror zëvendësojnë çdo të drejtë tjetër themelore përveç të drejtës për jetë, duke përfshirë atë për t'u mbledhur në mënyrë paqësore.

Amendamenti i ri gjithashtu lejon që hungarezët që kanë shtetësi të dyfishtë në një vend jo të Zonës Ekonomike Evropiane, t'u pezullohet shtetësia nëse konsiderohen se përbëjnë një kërcënim për rendin publik, sigurinë publike ose sigurinë kombëtare.

Amendamenti është i 15-ti i kushtetutës së Hungarisë që kur partia e Orbanit autorizoi dhe miratoi në mënyrë të njëanshme dokumentin në vitin 2011. /Telegrafi/