“Hidroregjioni Jugor” me aksion për shkyçjen e lidhjeve ilegale dhe borxhlinjve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se do të nis aksionin për shkyçjen e konsumatorëve nga lidhjet ilegale dhe për mos pagesën e faturave. Sipas njoftimit një gjë e tillë do të realizohet me asistimin nga Policia e Kosovës.
“Ju informojmë se Kompania Rajonale e Ujësjellësit, në bashkëpunim dhe me asistimin e Policisë së Kosovës, me datën 17.06.2025 duke filluar prej orës 09:00 do të ndërmarrë një aksion të organizuar për shkyçjen e konsumatorëve që janë të kyçur në mënyrë të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe të atyre që kanë borxhe të akumuluara dhe nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre financiare për një periudhë të gjatë kohore”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Ky aksion, sipas KRU “Hidroregjioni Jugor”, do të realizohet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të shërbimeve publike, rritjes së përgjegjësisë qytetare dhe respektimit të ligjit.
“Ftojmë të gjithë konsumatorët që të shlyejnë borxhet e tyre dhe të largohen vullnetarisht nga lidhjet ilegale, për të shmangur masat ndëshkuese dhe procedurat ligjore që parashihen me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Aksioni, sipas KRU “Hidroregjioni Jugor”, do të zbatohet në zona të ndryshme të shërbimit, sipas planifikimit të ekipeve teknike dhe menaxheriale. /Telegrafi/














































