Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ndodhi sot në këtë qytet, si dhe për rastin e dhunës grupore ndaj një të miture, që dyshohet të ketë ndodhur një ditë më parë.

Haziri tha se “prej epitetit qytet i paqes dhe i respektit, Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë” dhe se dy ngjarjet e fundit duhet të shërbejnë si alarm për të gjithë.


"Është e dhimbshme që prej epitetit qytet i paqes e i respektit dhe qytetit pa asnjë vrasje, në vitet e fundit Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme".

Ai dënoi fuqishëm të dy rastet, duke kërkuar nga organet kompetente zbardhjen e plotë të tyre.

Haziri theksoi se është e papranueshme dhe e patolerueshme që Gjilani, dikur qytet pa asnjë vrasje, në vitet e fundit po përballet me krime të tilla.

Kryetari i LDK-së në Gjilan u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurin.