Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni të lehtë me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se LDK-ja duhet të ruajë vlerat e saj politike dhe rolin si “gardiane e shtetit”.

Në Debat Plus, Haziri ka thënë se bashkëpunimi politik nuk mund të bazohet në imponim dhe kushte të njëanshme nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.


“Në asnjë mënyrë nuk e shoh lehtë LDK-në në koalicion me VV-në. Ne duhet t’i ruajmë vlerat tona politike. Gardian i shtetit kemi mbetur”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka kritikuar mënyrën se si Kurti, sipas tij, e koncepton bashkëpunimin politik, duke thënë se kërkon mbështetje pa lëshuar asnjë pe në vendimmarrje.

Sipas tij, nevoja për bashkëpunim është në anën e Kurtit, ndërsa ditët në vijim do të tregojnë nëse ai është i gatshëm të ndryshojë qasje.

“Duhet me u zbutë ai që ka nevojë për bashkëpunim, nevojën për bashkëpunim si oksigjeni e ka zoti Kurti. 10 ditët e ardhshme e ka, ka me tregu a ka ndryshu edhe a është i gatshëm me bashkëpunu. Nëse ia marrim sloganin nuk ka ndryshuar asgjë… nuk ka lëshuar pe kurrgjë. Nëse ai gjen deputetë me votu vetëm pse ai ka kërkesë, nuk besoj që mundet me funksionu demokracia askund kështu”, ka theksuar Haziri.

Haziri ka bërë të qartë se se partia e tij synon postin e kryeministrit.

“Për fazën ku jemi, LDK-ja është duke hyrë në garë për kryeministër”, ka përfunduar ai.

- YouTube youtu.be