Një grup nxënësish nga Kosova ka përfaqësuar vendin në Neo Science Olympiad, e mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke arritur rezultate të shkëlqyera në disa fusha shkencore dhe teknologjike.

Nxënësit kosovarë u vlerësuan për sukseset e tyre në Shkencë, Matematikë, Biologji, Kimi, Inteligjencë Artificiale dhe Kodim, duke dëshmuar nivel të lartë të dijes dhe përgatitjes akademike.


Në mesin e fituesve të medaljeve është edhe Harun Hondozi, i cili në fushën e shkencës u shpërblye me çmimin “Best of the Best”, ndërsa në matematikë fitoi medaljen e artë, një arritje e veçantë në një garë ndërkombëtare me konkurrencë të lartë.

Nga Kosova Global Talent Center u tha se këto suksese janë rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të nxënësve dhe mbështetjes së prindërve dhe stafit profesional.

“Këto arritje janë rezultat i punës së palodhshme, talentit dhe përkushtimit të nxënësve tanë, si dhe mbështetjes së vazhdueshme të prindërve dhe stafit profesional nga secila shkollë ku nxënësit morën përgatitjet adekuate. Jemi jashtëzakonisht krenarë për secilin prej jush”, thuhet në postimin e Kosova Global Talent Center.

Pjesëmarrja dhe sukseset në Neo Science Olympiad konfirmojnë potencialin e nxënësve nga Kosova në arenën ndërkombëtare dhe dëshmojnë se investimi në arsim dhe talent të ri po sjell rezultate konkrete.

Ky nuk është suksesi i parë për Harunin.

Ai kishte zënë vendin e parë në matematikë në garat ndërkombëtare në Dubai në vitin 2023, në kuadër të Brainobrain Kosova./Telegrafi.