LAJMI I FUNDIT:

Harresa e qëllimtë fsheh krimet që nuk duhen përsëritë!

Harresa e qëllimtë fsheh krimet që nuk duhen përsëritë!

Më 30 maj 2014 në Tiranë u përurue Kisha-Katedrale e re ortodokse shqiptare “Ngjallja e Krishtit”. Për këtë ngjarje të randësishme, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Janullatos, kishte ftue figurat kryesore të kishave ortodokse të mjaft vendeve dhe, me randësi të dorës së parë, edhe Tërëlumturinë e Tij Patriarkun Vartelomeo i Stambollit. Në ceremoninë solemne morën pjesë edhe udhëheqsit politikë të shtetit shqiptar.

Ndërtimi i Kishës-Katedrale në ish-Shqipërinë ateiste ashtë nji fitore e arsyes mbi çmendurinë komuniste dhe nji afirmim pozitiv i popullit shqiptar në besimin te Krijuesi. Njikohësisht, e pavarësisht nga kritikat e shumëta, pjesëmarrja e Patriarkut Vartelomeo I dhe i shtatë kryetarëve kishtarë të vendeve ortodokse ashtë, për mendimin tim, nji akt i randësishëm i afirmimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare si nji “Kishë” e pavarun e shqiptarëve, dhe në rangun e të gjitha kishave të tjera, pa asnji kontestim të legjitimitetit të saj nga qarqet e jashtëme, që na kujtojnë të kaluemen e hidhun. Nji njohje të këtillë masive e kemi përjetue në prill 1937 me marrjen e TOMOS-it nga Patrikana e Stambollit, që zyrtarizoi Kishën e ngritun në Tiranë më 1922 nga mendjendrituni Imzot Fan S. Noli.


Përshëndesim inaugurimin e Kishës-Katedrale “Ngjallja e Krishtit” dhe i urojmë vëllazënve dhe motrave tona ortodokse shqiptare nji “ngjallje” shpirtënore të vërtetë, për kënaqësinë e tyne dhe të breznive të ardhme.

Fatkeqsisht, atmosfera jo-politike e këtij tubimi për nji qëllim ma të naltë se “politika e ditës”, u damtue randë nga “i ftuari”, Patriarku Irenej i Kishës Ortodokse të Serbisë. Akoma ma e randë: Patriarku serb Irenej mohoi humbjen e jetës së mijëra shqiptarëve – kryesisht të Kosovës – në duert e xhelatëve serbë, sidomos që nga vitet 1840 me daljen e Naçertanies së Kryeministrit serb Garashanin.

Gjatë nji interviste me Top Channel në Tiranë, Fortlumturia e Tij, Irenej, komentoi se: “…asnjiherë nuk kemi pasur probleme në mes të dy popujve tanë”, “…nëse kemi jetue shekuj bashkë, pse të mos vazhdojmë të jetojmë përsëri bashkë”, “…serbët asnjiherë nuk kanë qenë armiqsorë në raport me shqiptarët”, “… më 1912, kur Kosova u çlirue nga Turqia, asnjë shqiptar nuk u përzu nga Kosova e Metohia…” dhe litani të tilla pa substancë. E pabesueshme! Dhe akoma ma keq, e rrezikshme: mohimi i krimit të kryem rrezikon përsëritjen në rastin ma të parë. Ai duhet demaskue!

Nji kuadër i këtill u plotësue me mohimin e së drejtës së Kosovës për pavarësi, nji mohim i bamë në Tiranë, kryeqytet i Shqipërisë. Na përgëzojmë Kryeministrin E. Rama për bojkotimin e darkës ceremoniale, dhe jemi thellësisht të shgënjyem nga heshtja kuptimplote e Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit Janullatos të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Planet ekspansioniste të Serbisë, nga faza e “konceptit” u trasformuen në “ekzekutim” me nji vrull të frymëzuem nga pasioni shovenist serb dhe urrejtja për okupatorin turk e mysliman. Fakti që popullsia që do të çvendosej nga toket e lakmueme nga serbët nuk ishin “turq” por shqiptarë myslimanë nuk e ndryshoi ekuacionin politik serb. Si rrjedhim, urrejtja antiturke u zbraz mbi kokët e shqiptarëve edhe ata vetë viktima të okupacionit shumëshekullor otoman…!

I nxitun nga Perandoria Ruse, shovinizmi serb shpërtheu në vitet 1877-1878 kundër banorëve shqiptarë të Nishit, Leskovacit, Kurshumlisë, Preshevës, zona që sot i quejmë “Kosova lindore”. Qytetet e fshatet e Kosovës u mbushën nga 250 000 refugjatët e dëbuem e që sot njihen akoma me termin “muhaxhirët e Kosovës”. Kongresi i Berlinit (1878) konfirmoi fitoren ushtarake serbo-malazeze dhe territoret shqiptare përfunduen si pjesë përbarëse të shteteve serbe e malaziase.

Që nga viti 1878 deri në vitin 1912 dhe ma vonë, në vitin 1919, ofensiva serbe u zgjanue tue përfshi të gjithë territorin e sotëm të Republikës së Kosovës, Malësinë e Veriut të Shkodrës, krahinën e Preshevës dhe qytetet shqiptare në Maqedoni, që nga Kumanova e Shkupi deri në Strugë, Ohër e Resnje. Gjysma e territorit shqiptar u okupue ushtarakisht nga serbët në Veri dhe në Jug nga grekët.

Okupimi serb i Kosovës (dhe ai grek i Çamërisë) nuk kufizohet në marrjen me forcë të territorit: ai dallohet si metodë raciste dhe vrastare e popullsisë vendëse; me nji fjalë, serbët kërkojshin “nji Kosovë pa shqiptarë”. Këtë synim ata e ndoqën me metodat ma barbare që tronditën koshiencën e botës së qytetnueme, sidomos që nga viti 1912 deri në qershorin e vitit 1999, dita e çlirimit final të Kosovës nga zgjedha serbe.

Në konferencat ndërkombëtare, teza serbe ka qenë gjithherë e njajtë: shqiptarët janë tipa kriminelësh, të pakorrigjueshëm, që kërcënojnë paqen në Ballkan. Vetëm serbët janë në gjendje “me i qetësue”. Në vitin 1913, ish-kryeministri serb, V. Gjorgjeviç, i përshkruente si: “….kafshë të egra me bisht që kalojnë natën të varun nga pemët e pyllit….”!

Në emën të këtij “qetësimi” u ba edhe çfarosja e tyne, e dokumentueme nga shtypi perëndimor dhe sidomos nga Komisioni për Hetimet e Shkaqeve të Luftës të Carnegie Endowment for Peace. Mbas L1B, me rihymjen serbe në Kosovë, procesi i asgjasimit të shqiptarëve rifilloi. Më 18 prill 1919, sekretari i Shtetit amerikan, Robert Lansing, i drejtohej MPJ të Britanisë së Madhe, Lord M. J. Balfour, dhe e njoftonte: “… Gucia, Plava, Gjakova, Peja, Pozhuri dhe Rozhaja kanë qenë skena terrorizimi dhe vrasje nga trupat serbe dhe agjentë serbë, politika e të cilëve duket se ashtë çfarosja fizike e banorëve shqiptarë të kësaj krahinë…”. Ndërkohë, propaganda dehumanizuese serbe u ba nji “kryqëzatë” kundër “të pafeve” (myslimanë). Myslimanët shqiptarë vazhduen të identifkohen si “turq”.

Ekziston dokumentimi se vetëm gjatë vitit 1912, numri i shqiptarëve të masakruem nga ushtritë serbo-malazeze arriti në 12 777. Kosta Novakoviç, nji dëshmitar okular e oficer i ushtrisë serbe, shkruen: “Të ‘drejtat historike” të Serbisë shkuen shumë larg: ata kërkojshin nji Kosovë pa shqiptarë, megjithëse Kosova ashtë nji krahinë e pastër shqiptare…”. Socialisti i madh serb D. Tucoviç, tregon: “Në të njajtën kohë dëshmova krematorë barbarë në të cilat qindëra gra e fëmijë shqiptarë u dogjën për së gjalli…”. Raporti i Carnegie Endowment for Peace përshkruen: “…Shtëpi dhe fshate të tana u banë shkrumb e hi, qytetarë të paarmatosun dhe të pafajshëm u masakruen en masse, akte dhune të pabesueshme, grabitje, brutalitet i çdo lloji – këto ishin metodat e përdoruna – e që përdorojnë akoma ushtritë serbo-malazeze, me qëllim që të ndryshojnë karakterin etnik të krahinës së banueme ekskluzivisht nga shqiptarët. Në vitin 1920, ka qenë ndërhymja e Presidentit W. Wilson që ka pengue të njajtin fat për Shqipërinë e Veriut.

Shqiptarët që i shpëtuen masakrimit u detyruen me forcë të emigrojnë në Turqi nën maskën e fesë “myslimane” prandej “turq”. Në vitin 1941 numri i tyne kishte arrijte në ma shumë se 400 000 emigrantë (njeni nga çdo tre banorë shqiptarë). Ish-udhëheqsi komunist jugosllav, Milovan Gjilas, tregon: “Përdorimi i dhunës dhe i grabitjes së shqiptarëve ishte nji aksion publik në Kosovë, deri në atë pikë sa ashtë e vështirë të besohej…” (dhe) “…të gjithë rrugaçët që mbushin pozitat qeveritare dhe dëshirojshin me u pasunue shpejt e shpejt, u dërguen si administratorë në Sanxhak, Kosovë dhe Maqedoni…”. Aty ku kishte shqiptarë!

Në vitin 1937, nji “Elaborat” i përgatitun nga Vaso Cubriloviç (i përsëritun më 1944), kërkonte largimin me forcë të shqiptarëve në Turqi. Në vitin 1941, nji punim nga diplomati Ivo Andriq këshillonte ndamjen e Shqipërisë në mes të dy vendeve fqinje “…që të zgjidhet problemi i Kosovës!”,

Në ditët tona, fitorja e komunistëve të Titos tregoi se politika e vjetër serbe ndryshonte në forme, por jo në substancë. Metodat barbare komuniste dhe mohimi i të drejtave të shqiptarëve për vetëvendosje shkaktuen kryengritjen e përgjithshme (1944-1945) ku ma shumë se 30 000 shqiptarë morën malet. Edhe sot, numri i viktimave shqiptare nuk dihet me siguri dhe shkon nga 35 000 në 60 000 shqiptarë të vramë vetëm gjatë viteve 1944-1945, tragjikisht me aprovimin e komunistëve shqiptarë…! Ndërsa Jugosllavia e Titos shikohej si vendi ma shtypës i Europës, Kosova ishte grupi ma anmiqsor i Jugosllavisë. Konkluzioni ashtë i qartë!

Revoltat dhe demonstratat shqiptare kundër shtypjes serbe u përsëritën, sidomos në vitet 1968, 1971 dhe 1981, ky i fundit nji eveniment që paralajmëroi shkatërrimin e Jugosllavisë. Zhvillimi i akteve ilegale të A. Rankoviqit dhe forcave të shërbimit sekret serb në Kosovë, u banë objekt i diskutimeve në shtypin ndërkombëtar. Lista e gjatë e krimeve serbe të mbulueme në Kosovë tregoi fëtyrën e vërtetë të regjimit dhe i hapi dyert nji rezistence shqiptare kambëngulëse, parimore: Kosova Republikë!

Me pavarësinë e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Jugosllavia e Versaille-s u shemb. Përpjekjet serbe me e ringjallë dështuen. Serbia ra në duert e shovinistëve serbë që përkrahën komunistin S. Millosheviç. Por shqiptarët refuzuen pjesëmarrjen në këtë proces. Për shqiptarët kishte vetëm nji rrugëdalje: shkëputja nga Serbia dhe deklarimi i pavarësisë së Kosovës, fitore që u arrijtë më 17 shkurt 2008. Por me gjak e sakrifica të panumërta!

Hymja me forcë e armatës serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 shkaktoi vdekjen e ma shumë se 12 000 banorëve vendas. Ma shumë se 2000 të tjerë janë akoma të humbun dhe besohet se janë të vramë. Çdo ditë në Serbi zbulohen varre shqiptarësh të ekzekutuem nga serbët. Ma shumë se 20 000 gra shqiptare janë dhunue. Spastrimi etnik dëboi afër nji miljon shqiptarë në vendet fqinje, ku jetuen si refugjatë në kampe të improvizueme. Llogaritet se 174 familje shqiptare janë djegë për së gjalli mbrenda shtëpive të tyne. Para nji katastrofe të këtill të krijueme nga invazioni serb i Kosovës, zgjidhja e vetme ka qenë rezistenca e armatosun dhe pavarësia e Kosovës.

Nobelisti për Paqe, Marty Artisaari, deklaron se “Pavarësia e Kosovës ashtë e pandryshueshme dhe u baj thirrje serbëve të kërkojnë falje për krimet kundër njerëzimit që kanë krye në Kosovë”. Ai shton: “Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës para se të anëtarësohet në familjen e Europës së Bashkueme”.

Këtë kërkojmë edhe ne nga Patriarku i Serbisë, sepse asnjiherë Kisha Ortodokse Serbe nuk ngriti zanin në mbrojtje të viktimave shqiptare në Kosovë. Asnjiherë! Kërkoni falje Fortlumturi nga familjet shqiptare të veshuna me të zeza! Pranoni dorën e pajtimit. Përbuzeni urrejtjen për shqiptarët. Ushqeni mirëkuptim e afrimin në mes të dy popujve fqinj, që nuk kanë asgja me fitue nga manovrimet politike… as intrigat fetare! Nji qëndrim i këtill vlen ma shumë se duertrokitjet në Beograd…! Sepse, shkruente gazeta “The New York Times” në editorialin e saj të datës 21 qershor 1999: “Ajo që ashtë serioze në këtë mes në lidhje me shkallën e atrociteteve (serbe në Kosovë) ashtë se edhe në ditët tona kur bashkatdhetarët e tyne vrisnin mijëra njerëz të pafajshëm, shumica dërmuese e serbëve nuk u shqetësuen fare, as deshën të trazohen”.

Në këtë proces pendimi Kisha Ortodokse Serbe mund të lozë nji rol vendimtar! Kur do të vij pranvera e së vërtetës edhe për ty, o fqiu i im serb?

(Marrë nga: Panorama)