LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Më shumë përkrahje për prodhuesit vendor

Haradinaj: Më shumë përkrahje për prodhuesit vendor

“Jemi përcaktuar që ky vit të jetë viti i ekonomisë, i prodhuesve, përpunuesve dhe kompanive të vendit, që atyre t’iu japim më shumë siguri, besim, e në raste të caktuara edhe përkrahje kur ka mundësi”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në kompaninë “Gacaferi” në Pejë, e cila bën përpunimin e drurit dhe prodhimin e mobileve.

Me këtë rast, Haradinaj u prit nga pronari Naim Gacaferi me bashkëpunëtorë, nga i cili është njoftuar për punët, të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet kompania, e cila ka traditë rreth 60 vjeçare.

“Jam rritur me emrin Gacaferi dhe nuk ka dikush në Kosovë që nuk e di për kompaninë “Gacaferi”. Janë njerëz të respektuar jo vetëm në Pejë, e në këtë trevë, por prodhimet e kësaj kompanie e kanë marrë besimin edhe të tregjeve të jashtme, si në Zvicër, Gjermani, etj”, tha kryeministri Haradinaj.


Sipas tij, prodhuesit e kanë më të lehtë të punojnë, meqë lënda e parë dhe pajisjet janë të liruara nga taksa dhe pikërisht në frymën e këtyre lehtësirave po zhvillohet edhe kjo vizitë, për të parë nga afër mundësitë për përkrahjen e bizneseve vendore.

Pronari Naim Gacaferi, falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën, duke thënë se mbështetja e tij për bizneset vendore është ndihmë e madhe.

“Vitin e kaluar kemi pasur ngritje afër 30 për qind me eksport, ndërsa këtë viti presim që të realizojmë deri në 45 për qind”, tha Gacaferi, i cili ka të punësuar rreth 50 punëtorë dhe përveç tregut vendor, kjo kompani eksporton prodhimet e saj edhe në vendet të ndryshme të Evropës.

Vizita e Kryeministrit Haradinaj në fabrikën “Gacaferi” po zhvillohet në vazhdën e vizitave për të mbështetur dhe fuqizuar sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të vendit, në kuadër të vitit ekonomik, i shpallur nga Qeveria e Kosovës. /Telegrafi/