Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim lamtumirës raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek të shoqëruar nga pasardhësi i saj në këtë detyrë, Igor Soltesa.
Haradinaj e vlerësoi punën dhe angazhimin e raportueses Lunacek dhe mbështetjen e saj të parezervë për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe në institucionin e BE-së.
Kryeministri Haradinaj dhe zonja Lunaçek folën edhe për proceset integruese të Kosovës dhe reformat e nevojshme që çojnë drejt anëtarësimit në BE. Haradinaj tha se Agjenda e Reformës Evropiane dhe Marrëveshja e Stabilizimit Asociimit po zbatohen me një dinamikë të përshpejtuar dhe tha se po bëhen reforma të thella në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe në fushat e tjera, thuhet në njoftimin nga takimi.
Kryeministri tha se perspektiva evropiane për Kosovën është e paalternativë dhe ajo po bën të gjitha përpjekjet që ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit të ardhshëm.
Ai tha se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja kontraktuale me BE-në në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, e përgëzoi kryeministrin për dinamikën e re qeverisëse dhe për angazhimin e tij personal në zbatimin e MSA-së dhe reformave në vend.
Ajo tha se Kosova ka perspektivë evropiane dhe vlerësoi se duhet të përmbushë obligimet e marra me marrëveshjen kontraktuale me BE-në. /Telegrafi/