Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka marrë pjesë sot në shënimin e 22 vjetorit të Masakrës në Burgun e Dubravës, me ç’rast u përurua edhe Lapidari në respekt të të rënëve, plagosurve dhe të mbijetuarve të masakrës.
Në fjalën e rastit, Haradinaj tha se shumë shqiptarë shumicën e jetës së tyre e kanë kaluar nëpër burgje duke përmendur kështu jetën dhe sakrificat e Adem Demaqit, Smajl Haradinajn duke thënë se nuk është se kjo masakër ishte fillimi i së keqes nga burgjet për shqiptarët.
Tutje Haradinaj tha që populli i Kosovës nuk u dorëzua për arsye që kjo dukuri të mos vazhdohet përjetësisht, ai këtë rrugë për ndalimin e këtyre masakrave e kanë ndjekur shumë njerëz të cilët është krenari t’ua përmendim emrat, ata janë Adem Jashari bashkë me familje, Ushtira Çlirimtare e Kosovës.
“Në kohën kur ka ndodhur kjo Masakër, shqiptarët kanë qenë të organizuar në luftë për liri, për me e ndal pikërisht tragjedinë e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë por në ish Jugosllavi sepse kanë qenë gjithë në burg”, u shpreh kreu i AAK-së.
Ai tha se “ky vend ka pas njerëz të zot të cilët me armë në duar i kanë dal ballë Millosheviçit, pa qenë në dijeni se një ditë do na ndihmojë edhe NATO, pa qenë në dijeni se një ditë aleatët tonë si Amerika do na gjinden pranë, por vetëm duke u bazuar në të drejtën tonë për liri e në forcën tonë”.
Haradinaj theksoi se “nëse thuhet që Ballkani duhet liruar prej kriminelëve të luftës është e gabushme dhe nëse dikush duhet me u liru prej kriminelëve të luftës është vetëm Serbia”.
“Duhet të jemi të guximshëm të themi të vërtetën, të kërkojmë të drejtën tonë, e drejta jonë ka me dal në dritë. Lavdi gjithë dëshmorëve që ranë për liri”, tha në fund Haradinaj. /Telegrafi/