LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme

Haradinaj: Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme

Perspektiva e rajonit ashtu sikurse e Kosovës është në NATO, ku e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme. Kështu ka deklaruar kryeministri Haradinaj pas takimit me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli.

Duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n, Haradinaj tha se Kosova i gëzohet ardhjes së presidentit të Asamblesë Parlamentare, ku edhe Kosova ka statusin e vëzhguesit.

Shefi i Qeverisë ka thënë se Kosova dhe populli i saj do t’i jetë përjetë mirënjohës dhe asnjëherë nuk do ta harrojë ndihmën që NATO ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit.


Ai theksoi rolin e rëndësishëm të NATO-s në garantimin e paqes dhe të sigurisë dhe e vlerësoi forcën paqeruajtëse të KFOR-it si një partner të rëndësishëm në Kosovë. Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se FSK-ja e mbështetur nga NATO në çdo periudhë të ndërtimit të saj, ka përmbushur kapacitet operative drejt transformimit në Forcën e Armatosur, në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërkaq, Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, tha se NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

“Jam këtu sot si President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për të demonstruar edhe njëherë se Asambleja Parlamentare është shumë e afërt me Kosovën, është shumë e lidhur dhe e përkushtuar me Ballkanin Perëndimor, sepse ne mendojmë se Ballkani Perëndimor është pjesë esenciale e Evropës”, tha presidenti Alli.

Ai tha se janë duke bërë më të mirën për të mbështetur përpjekjet që Kosova është dukë bërë në procesin e reformës, që është e nevojshme për anëtarësim në NATO.

“Ne shohim progres real, ne shohim gjithashtu se ka punë për t’u bërë, veçanërisht në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por ne jemi të sigurt se udhëheqja e juaj është shumë e fuqishme dhe ju do të keni sukses në rrugëtimin tuaj për integrim euroatlantik”, tha Alli, duke theksuar se prezenca e misionit të KFOR-it, përpjekja që NATO ka bërë në vitet e kaluara për të kontribuar në stabilitet, në siguri dhe paqe, është dëshmi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë më afër Evropës.

Në pyetjet e gazetarëve për takimet e zhvilluara me zyrtarët e NATO-s, kryeministri Haradinaj tha se në këto takime është biseduar për perspektivën e Kosovës, tranzicionit dhe anëtarësimit në NATO. /Telegrafi/