Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se kontrata e secilit lider me popullin dhe shtetin, është kontratë me Kushtetutën dhe ligjet.

Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen tonë.


Ai ka shkruar se janë përcaktuar që Kosovën ta ndërtojnë në demokraci dhe mbi bazën e vlerave euro-atlantike.

Postimi i plotë i Haradinajt:
Të dashur qytetarë, Si Kosovë, jemi përcaktuar që shtetin tonë ta ndërtojmë në demokraci dhe mbi bazën e vlerave euro-atlantike. Rrjedhimisht, kontrata e secilit lider me popullin dhe shtetin, është kontratë me Kushtetutën dhe ligjet. Këtë kontratë, e zbatojnë vetëm liderë dhe udhëheqës, të qëndrueshëm, të cilët para çdo interesi personal, e kanë parësor shtetin dhe qytetarin! Qëndrueshmëria e bazuar në të drejtën dhe konsistenca në politikbërje, e forcon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe e bënë ndryshimin. Nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat vitale, nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen tonë! Vetëm demokracia dhe vullneti i qytetarëve, mund dhe duhet ta sfidojë secilin liderë, duke ia përcaktuar të ardhmen politike.

/Telegrafi/