Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në një konferencë pas mbylljes së vendvotimeve për të komentuar rezultatet preliminare dhe procesin zgjedhor.

Ai theksoi gatishmërinë e partisë së tij për të bashkëpunuar me partitë opozitare në krijimin e institucioneve të reja.


“AAK nuk ka vënë kushte dhe nuk vendos kushte për opozitën. LDK dhe PDK e kanë një partner dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ta për t’i dhënë vendit një qeveri”, tha Haradinaj.

Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e diasporës në këtë proces.

“Sot ka fituar demokracia jonë. Ju falënderoj që e mbani gjallë demokracinë, falënderim diasporës tonë që edhe kanë votuar atje dhe kanë ardhur këtu me votuar”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj komentoi gjithashtu rezultatet preliminare të zgjedhjeve.

“Për ne është konfirmuar rezultati 8%, që është rreth 9 mandate. E presim rezultatin final, numërin e të gjitha votave dhe si i tillë ky rezultat na bën krenar.”

Ai gjithashtu komentoi situatën politike dhe bllokadën e mëparshme.

“Jemi ballafaquar me partinë në shtet tash e pesë vjet dhe përkundër zhvillimeve që kanë ndodhur, shihet që bllokada 1-vjeçare e Kurtit nuk jep rezultatin e pritur prej tij. Ende jemi në një situatë të njëjtë. Ne jemi dakord që të veprohet me shpejtësi për të krijuar institucionet. Për të pasur qeveri, Kosova duhet të presë një marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së, për shkak se bllokada është shkaktuar nga LVV e Kurtit”, tha Haradinaj. /Telegrafi/