Site icon Telegrafi

Hansi Flick ‘ëndërron’ transferimin e yllit të Bayern Munich në verë

Barcelona është rikthyer sërish në kufirin e pagave tri vjet pasi aktivizuan levat e tyre ekonomike, ani pse e kanë bërë këtë duke shitur më shumë asete. 

Ndonëse blaugranasit kanë nevojë për më shumë para për të finalizuar marrëveshjet, kjo nuk i ka ndaluar ata që të hulumtojnë tregun për objektivat e ardhshëm. 

Një prej përforcimeve të preferuara, të paktën në sytë e trajnerit Hansi Flick, është mesfushori Jamal Musiala. 

Reprezentuesi gjerman debutoi me Bayernin nën urdhrat e Flick dhe dyshja kanë punuar gjithashtu së bashku edhe tek Gjermania para se tekniku gjerman të shkarkohej. 

Musiala momentalisht është në negociata me Bayernin për rinovimin e kontratës, teksa ata po përpiqen ta zgjasin atë përtej vitit 2026. 

Sidoqoftë, gazeta katalanase Sport ka raportuar se edhe nëse ai nënshkruan kontratë të re me bavarezët, do të përfshijë një klauzolë të përballueshme lirimi, e cila e mban derën e hapur për një transferim, qoftë tek Barcelona apo diku tjetër. 

Problemi i vetëm i Barcelonës pa dyshim do të ishte që Musiala të përshtatej me kufirin e tyre të pagave, duke marrë parasysh se fiton një shumë të konsiderueshme tek gjiganti gjerman. 

Barcelona beson se largimi i lojtarëve si Frenkie De Jong mund të jetë çelësi që kjo marrëveshje të finalizohet./Telegrafi/

Exit mobile version