Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ishte i ftuar në emisionin "Përballje" me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi, ku foli për sfidat dhe të ardhmen e arsimit në Kosovë, nevojat e tregut të punës dhe ndikimin që ka teknologjia në shoqëri dhe në zhvillimin individual.

Sipas Hajrizi, bota po kalon në një fazë të re dhe interesante të njerëzimit, ku zhvillimet teknologjike janë më të avancuara se kapacitetet individuale të njeriut. “E gjithë bota po kërkon më shumë – më shumë dije, më shumë aftësi, më shumë përshtatje me ritmet e shpejta të zhvillimit”, theksoi ai.


Ai vuri në pah se edhe pse vendet e vogla, si Kosova, përballen me sfida të mëdha, ato kanë një avantazh të rëndësishëm: mundësinë për t’u përshtatur më shpejt me transformimet globale.

“Nëse i përshtatemi trendeve në kohën e duhur, ne bëhemi pjesë aktive e zhvillimeve dhe nuk mbesim prapa”, deklaroi ai.

Duke folur për përvojën e tij personale, Hajrizi tha se ka qenë gjithnjë i ndërlidhur me teknologjinë dhe trendet globale, çka e ka ndihmuar në ndërtimin e një sistemi arsimor që i paraprin nevojave të tregut.

Ai tha se UBT është përpjekur ta integrojë teknologjinë dhe inovacionin në çdo fushë studimi për të përgatitur profesionistë të gatshëm për të ardhmen.

“E ardhmja kërkon aftësi të reja për punëtorët e tanishëm, dhe përgatitje për gjeneratat e reja që të mos mbesin jashtë tregut të punës”, tha ai.

Hajrizi theksoi se nuk mjafton vetëm diploma, por kërkohen kompetenca të thella dhe performancë e lartë profesionale.

Sipas tij, rritja ekonomike globale dhe mungesa e fuqisë punëtore e bëjnë të domosdoshme përdorimin e teknologjisë për të kompensuar këtë mungesë.

Ai potencoi se teknologjia duhet të përdoret në çdo sektor – nga bujqësia e deri te shkencat humane – por se ajo nuk ka kuptim pa një përmbajtje të fortë profesionale dhe humane.

Një mesazh të veçantë ai ia adresoi të rinjve: “Zgjedhni profesionin që e doni, sepse çdo profesion është i rëndësishëm. Por, punoni që të jeni të zotë në atë profesion, sepse vetëm pasioni nuk mjafton pa kompetencë”.

Në fund, Hajrizi theksoi nevojën për transformim të sistemit arsimor që të mund të përballojë jo vetëm ndryshimet teknologjike, por edhe ndryshimet mes gjeneratave.

Ai kërkoi që metodat, veglat dhe pedagogjia të përshtaten me kohën për të pasur një edukim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

“Konflikti sot nuk është më mes kombeve, por mes gjeneratave. Duhet ta kuptojmë këtë për të krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi”, përfundoi rektori i UBT-së./Telegrafi/