Në disa shtete të Ballkanit është përhapur Gripi i shpezëve, ndërsa në Kosovë për shkak të infektimit janë asgjësuar rreth 91 mijë shpezë.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zyrtari për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) Lamir Thaçi.
Sipas tij, AUV-i është duke punuar me të gjitha kapacitetet që të kenë sa më pak raste të kësaj sëmundje.
“Gjithsej gjatë këtij viti janë asgjësuar rreth 91 mijë shpezë në Kosovë. Pothuajse i gjithë Ballkani është i përfshirë nga përhapja e Gripit të shpezëve. Ne me të gjitha kapacitetet jemi duke punuar që të kemi sa më pak raste të përhapjes së kësaj sëmundje”, u shpreh ai.
Siç tha Thaçi, aty ku ka dyshime menjëherë i dërgojnë ekipet inspektuese për të marr mostra nëse rezultojnë apo jo pozitiv.
“Po ashtu marrim mostra për t’i testuar në laborator dhe secila fermë që rezulton pozitiv sipas procedurës ligjore dhe me procedurë të shpejtë e kryejmë asgjësimin për të penguar përhapjen e këtij gripi. Si dhe në momentin që kjo sëmundje shpërthen në shtetet tjera, bëhet ndalesa e tyre në momentin që ato lajmërohen në organizatën e OJES. Kjo është rregull ligjore që zbatohet nga të gjitha shtetet. Janë disa shtete të cilat janë prekur nga gripi i shpezëve gjatë këtij viti. I kemi pasur disa raste me avion influence”, tha ai.
Të gjitha këto sëmundje, siç u shpreh Thaçi, sipas ligjit kërkohet që të menaxhohen nga ana e autoritetit.
“Ne me sukses kemi arritur që deri më tani ta mbajmë nën kontroll situatën dhe t’i ruajmë fermat komerciale sepse aty është numri më i madh i shpezëve”, theksoi ai, duke treguar se deri më tani vetëm një fermë komerciale është e prekur me këtë sëmundje.
Thaçi po ashtu tha se nga fillimi i vitit deri më tani janë rreth 45 mijë kilogramë mish dhe nën produkte të mishit të asgjësuara.
“Po ashtu janë rreth 100 mijë kilogramë qumësht të asgjësuara të cilat në çfarëdo forme nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore për konsum. Në secilin rast inspektori ka vendosur për asgjësimin e tyre”, tha ndër të tjera Thaçi për Telegrafin. /Telegrafi/