Grindje publike mes Musk dhe shefit të Ryanair, e quajnë njëri-tjetrin idiotë

Elon Musk e quajti drejtorin ekzekutiv të Ryanair, Michael O'Leary, një "idiot" i cili duhet të shkarkohet nga puna, duke përshkallëzuar një grindje publike që filloi pasi shefi i linjës ajrore përjashtoi instalimin e shërbimit të internetit Starlink të Musk në aeroplantë e Ryanair.
O'Leary hodhi poshtë idenë e pajisjes së më shumë se 600 aeroplanëve të Ryanair me sistemin Starlink të Musk , duke përmendur ndikimin e kostove të karburantit nga antena dhe duke vlerësuar se shërbimi do t'u kushtonte linjave ajrore deri në 250 milionë dollarë në vit.
Musk u përgjigj duke thënë se O'Leary ishte "i keqinformuar" dhe duke argumentuar se Ryanair nuk dinte si ta maste ndikimin e karburantit të pajisjeve Starlink, shkruan Reuters.
Duke folur më vonë për stacionin radiofonik irlandez Newstalk, O'Leary tha se Musk nuk dinte "asgjë" për aviacionin dhe rezistencën ndaj ajrit, duke e quajtur miliarderin amerikan një "idiot" dhe duke e përshkruar X si një "gropë plehrash".
Nuk vonoi shumë dhe Musk, kompania e të cilit SpaceX operon me Starlink, reagoi.
"CEO-i i Ryanair është një idiot i plotë. Shkarkojeni nga puna”, tha Muskl.
Kur një ndjekës sugjeroi që Musk duhet të blinte Ryanair dhe të shkarkonte vetë O'Leary-n, ai u përgjigj: "Ide e mirë."
Ndryshe, kompanitë ajrore janë bërë një bazë klientësh gjithnjë e më e rëndësishme për Starlink, një rrjet i mundësuar nga mijëra satelitë në orbitën e ulët të Tokës që synon të ofrojë WiFi më të shpejtë dhe më të besueshëm gjatë fluturimit.
Më shumë se dy duzina transportues - duke përfshirë United Airlines, Qatar Airways dhe Lufthansa - po e shpërndajnë shërbimin. /Telegrafi/




















































