Nga 10 deri në 30 për qind të vlerës së përgjithshme të granteve apo subvencioneve, të fituara nga bujqit dhe fermerët, në shumicën e rasteve është dashur të jepen ryshfet për zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, thonë Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve dhe Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit.
Ata tregojnë se në shoqata vazhdimisht është diskutuar për parregullsitë në procesin e shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve, por asnjëri nga bujqit apo fermerët, nuk ka marrë guximin që padrejtësitë t’i paraqesin tek autoritetet kompetente, për shkak të frikës së humbjes së përfitimit.
As për Radion Evropa e Lirë, disa nga bujqit e kontaktuar, përfitues të granteve, nuk kanë pranuar të tregojnë historitë e tyre.
Vlera e ndarë për subvencione dhe grante nga Qeveria e Kosovës në pesë vjetët e fundit, sipas tyre, ka qenë rreth 50 milionë euro.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për Radion Evropa e Lirë, lidhur me shumën e ndarë të subvencioneve dhe granteve apo ankesave eventuale të fermerëve apo bujqve.
Mema: “Lista e zezë” për fermerët
Ramadan Mema thotë se shumica e fermerëve janë përballur me kërkesa për ryshfet për sigurimin e skemave të subvencioneve të ndara për ta nga tatimpaguesit e Kosovës.
“Ka ekzistuar një frikë te shumica e përpunueseve që t’i bëjnë publike parregullsitë sepse kanë menduar se do të hyjnë në ‘lista të zeza’ jozyrtare, që në të ardhmen nuk do të kenë mundësi që të jenë përfitues të skemave të ndryshme të subvencioneve që i ka aplikuar Ministria e Bujqësisë. Përndryshe, mendoj se pjesa dërmuese e përfituesve të këtyre subvencioneve, secili mund të ketë një histori”, tha Mema.
Subvencionet janë fonde që qeveria ua merr taksapaguesve dhe ua jep grupeve të caktuara për t’i mbështetur bizneset e tyre dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.
Kurse grantet janë ndihmë e dhënë nga një organizëm qeveritar ose joqeveritar, në formën e transferimit, por që duhet plotësuar disa kushte të paracaktuara që lidhen me veprimtarinë e shfrytëzimit të kësaj njësie ekonomike.
Tahiri: Grantet, burim i keqpërdorimeve
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, thotë se keqpërdorimet në të shumtën e rasteve janë bërë në procesin e aprovimit të granteve, pasi vlera e mjeteve në këtë skemë ka qenë më e madhe.
“Te grantet ka pasur presion dhe kërkesa të mëdha. Për të fituar një grant, pjesa dërmuese e bujqve është dashur të japin 30 për qind të vlerës së projektit për të cilin kanë aplikuar. Nëse bujku ka aplikuar për 200 mijë euro, është dashur të japë 60 mijë euro për ta fituar projektin”, tha Tahiri.
Ahmetaj: Kam hequr dorë nga aplikimet për shkak të parregullsive
Një nga fermerët që ka aplikuar për pesë vjet radhazi për grante në Ministri të Bujqësisë është Bashkim Ahmetaj nga Komuna e Pejës, por asnjëherë nuk ka arritur që të përfitojë. Ahmetaj udhëheq fermën “Agro Ferma” dhe ka rreth 30 krerë lopë.
Ai vitet e fundit ka hequr dorë nga aplikimi, për shkak siç thotë Ahmetaj, parregullsive që kanë ekzistuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
“Unë kam hequr dorë sepse thoshin se duhet jap 10, 20 apo 30 për qind. Kështu që vendosa të mos aplikoj për grante edhe pse plotësoj kriteret e kërkuara. Nuk kam dashur të jap ryshfet paraprakisht”, tregon ai.
Pikërisht, për keqpërdorim të subvencioneve, marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, Policia e Kosovës më 24 shkurt ka arrestuar 12 persona, në mesin e të cilëve dhjetë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, agjenci kjo që funksiononin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë. Gjatë bastisjes në shtëpitë e personave të arrestuar, sipas kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, janë sekuestruar deri në 400 mijë euro.
Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, më 26 shkurt, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tetë nga zyrtarët, kurse për dy të tjerë është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Kurse më 25 shkurt, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe nëntë persona në komuna të ndryshme të Kosovës, që lidhen me rastin e njohur si “Subvencioni 2021”. Sipas Policisë, “ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e dyshuar përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë”.
Tahir Tahiri thotë se në rast se bujqit kanë shkuar dhe janë ankuar në Polici apo kanë dhënë prononcim për media, janë ndëshkuar nga zyrtarë e Ministrisë së Bujqësisë.
“Për ata (bujqit që kanë bërë publik aferat korruptive) janë gjetur forma të llojllojshme për të refuzuar aplikacionin për marrjen e granteve”, thotë ai.
Ndryshe, për të rritur interesimin e fermerëve për mbjelljen e sipërfaqeve më të mëdha me grurë apo kulturave tjera bujqësore, Ministria e Bujqësisë përmes programeve bujqësore, ka disa vite që subvencionon fermerët me nga 150 euro në vit, kurse sipërfaqja minimale e mbjellë me grurë duhet të jetë dy hektarë në pronësi të fermerit. Subvencione me vlera të ndryshme kryesisht ndahen për blegtori, perimtari, pemëtari, pylltari, shpezëtari, bletari dhe mbjellje pranverore dhe vjeshtor. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëInvestoni në rehati dhe cilësi - Blini banesën tuaj në Elsa Residence!
Eksperienca e blerjes që dallon - Emona Center më i liri në treg!
AS Travel sjell Omanin për herë të parë si destinacion për Kosovën
Kush ia dhuroi qaforen e famshme me shqiponjë, Jean-Claude Van Damme-it?
Transformoni jetën tuaj në 2025: Filloni udhetimin e shërimit në Rezonanca 3
Dhjetë familjet mbretërore më të pasura në Evropë, nuk është mbretëresha Elizabeth II në vend të parë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Befasia e këtij fillim viti: Nga Spanja raportojnë se Messi po rikthehet te Barcelona
Surpriza tejet e veçantë për Vullnetin: Niset për në Negroc për t'i takuar familjarët e tij
Musk po shkakton telashe në Evropë - çfarë përfiton ai nga kjo?
Olta Gixhari shkëlqen në finalen e Big Brother VIP Kosova me një pamje mahnitëse
100 milionë euro? As kjo nuk e bindi yllin e Real Madridit të braktiste Bernabeun për Chelsean e Abramovichit
Xuxi surprizohet nga familja e tij në finalen e Big Brother VIP Kosova