Grabitja e armatosur në një pompë derivatesh në Pejë, policia arreston katër të dyshuarit

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni Policor në Pejë, më datë 21.05.2025, rreth orës 23:36 është njoftuar se në një pompë derivatesh në rrugën “KFOR” në Pejë ka ndodhur një grabitje.
Policia menjëherë iu ka përgjigjur rastit dhe, me të arritur në vendngjarje, nga viktima ka kuptuar se nga një veturë “Golf” kishin dalë tre persona dhe, nën kërcënimin e armëve, e kishin kanosur viktimën nga e cila kishin kërkuar që t’u japë paratë e pazarit. Viktima ua jep paratë në shumë prej rreth 900 euro dhe të njëjtit ishin larguar në drejtim të panjohur.
"Pas një pune intensive të hetuesve rajonalë, më datë 24.05.2025, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë katër të dyshuar. Është sekuestruar vetura që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, një pushkë gjysmë automatike dhe të holla në shumë prej pesëqind e shtatëdhjetë (570) euro, si dhe dëshmi të tjera", njofton policia.
Pas intervistimit nga hetuesit në praninë e avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë./Telegrafi/



































