Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë zbuluar dy shtesa të rrezikshme për Google Chrome që kanë marrë informacionet private të përdoruesve nga bisedat me “chatbot” e inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT dhe DeepSeek.

Shtesat e quajtura “Chat GPT for Chrome with GPT‑5, Claude Sonnet & DeepSeek AI” dhe “AI Sidebar with Deepseek, ChatGPT, Claude, and more” ishin instaluar nga mbi 900 mijë përdorues para se të hiqeshin nga dyqani zyrtar i Chrome.


Ato dërgonin në fshehtësi bisedat dhe faqet që vizitonin përdoruesit tek serverë të jashtëm, çdo 30 minuta.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo praktikë, e njohur si “prompt poaching”, mund të rrezikojë informacionin personal, ide biznesi dhe të dhëna konfidenciale, duke i bërë ato të qasshme nga sulmues të jashtëm.

Përdoruesit këshillohen të kontrollojnë shtesat e tyre, të heqin ato me origjinë të paqartë dhe të mos japin leje për qasje në përmbajtjen e faqeve pa qenë të sigurt. /Telegrafi/