Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2026” ka vijuar në Gjilan me natën e katërt të programit, ku u shfaq drama “God Bless America” me tekst dhe regji të Fatos Berishës, e prezantuar jashtë konkurrencës.

Edhe pse shfaqja kishte pasur repriza të mëhershme, salla ishte e mbushur, duke dëshmuar interesimin e madh të publikut për këtë realizim skenik. Vepra rrëfen historinë e katër shokëve të cilët, pas një trajnimi nga një menaxher biznesi dhe udhëzimeve nga kisha, nisen nëpër shtete të Amerikës për të shitur Bibla dhe materiale religjioze. Rrugëtimi i tyre shoqërohet me situata komike dhe dramatike, ku dështimet e njëpasnjëshme, të kushtëzuara nga bindjet fetare, qëndrimet e bashkëshortes apo rrethanat shoqërore, ndërtojnë kulmin dramaturgjik të shfaqjes.


Në epilog, një akt spontan solidarizimi gjatë një udhëtimi personal shpalos ironinë e fatit dhe përcjell mesazhin se kuptimi njerëzor shpesh shfaqet përtej interesit material dhe kalkulimeve pragmatike.

Ekipi i aktorëve, falë përvojës së tyre profesionale, ka ruajtur një komunikim të vazhdueshëm me publikun, duke e ngritur nivelin interpretativ të shfaqjes. Në këtë realizim skenik interpretuan Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Ali Demi, Aurita Agushi, Alban Shahiqi, Artan Selimi, Bashkim Nexhipi, Safete Mustafa-Baftiu, Mejreme Berisha, Tringa Hasani dhe Florent Salihu.

Edhe në këtë natë nuk mungoi prania e zyrtarëve institucionalë, përfshirë kryesuesen e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi – Kqiku. Gjatë ditëve të kaluara, festivalin e kanë vizituar edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, në mesin e tyre ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, duke konfirmuar mbështetjen institucionale për këtë manifestim kulturor.

Nata përmbyllëse e “Talia e Flakës 2026” mbahet më 28 janar, kur publiku do të ndjekë shfaqjen “Gërrdia” nga Trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me autorësi dhe regji të Astrit Kabashit. Në skenë do të interpretojnë Bujar Ahmeti, Maylinda Kosumovic dhe Rebeka Qena, me skenografi nga Arben Shala, kostumografi nga Yllka Brada dhe muzikë nga Memli Kelmendi.

Programi i manifestimit “Flaka e janarit 2026” vijon më 29 janar me “Yjet e Flakës”, festivalin e këngëve për fëmijë dhe koncertin kushtuar këngëve të Jusuf Gërvallës, ndërsa më 30 janar mbahet “Fest Flaka”, festivali i këngës shqipe. Aktivitetet letrare dhe enigmatike janë paraparë për 31 janar, ndërsa manifestimi përmbyllet me Gala Mbrëmjen, ku do të shpallen fituesit në të gjitha kategoritë artistike dhe krijuese. /Telegrafi/