LAJMI I FUNDIT:

Gjykimin për 400 kg kokainë të ardhur nga Brazil, urdhërarrest ndaj të akuzuarit që mungoi për të dytën herë në gjykatë

Gjykimin për 400 kg kokainë të ardhur nga Brazil, urdhërarrest ndaj të akuzuarit që mungoi për të dytën herë në gjykatë

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën ka aprovuar propozimin e prokurorit special Valdet Gashi që ndaj të akuzuarit Kadri Sheqiri i cili mungoi për të dytë herë me radhë në gjykatë të lëshohet urdhërarrest.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), janë Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyqi.

Në seancën e kaluar ndaj Sheqirit gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo për të njëjtën kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli paraprakisht bëri të ditur se Policia e Kosovës nuk ka arritur ta gjej të njëjtin.


“Policia e Kosovës, përmes emailit na ka njoftuar se ka bërë përpjekje për sigurimin dhe shoqërimin e të pandehurit Kadri Sheqiri, kurse nuk ka arritur ta gjej të njëjtin në banesë sepse thotë “nuk e ka hap derën e banesës dhe as telefonin me të cilin e ka thirrur”, tha gjykatësi Konxheli.

Lidhur me mungesën e Sheqirit në seancën e sotme, mbrojtësi i tij avokati Xhafer Maliqi ka thënë se të vetmen informatë jozyrtare që e ka është biseda me motrën e Sheqirit e cila sipas tij, ka thënë se Sheqiri do të paraqitet te enjten në polici sepse gjendja shëndetësore e tij është shumë e rëndë.

“Të vetmen informatë e kom që e kom s’osht zyrtare, është biseda e fundit me motrën e tij me emrin Yllka unë se njoh personalisht, e cila më ka thënë “se Kadriu nuk ka ndërmarrë ndonjë akt të vetëvrasjes siç kanë supozuar motrat dhe vëllezërit e tjerë apo zhdukjes në drejtim të panjohur,  më ka thënë se ai do të paraqitet në polic të enjten sepse gjendja e tij shëndetësore është shumë e rënd ajo qysh siç m’ka përmend”, tha avokati Maliqi.

Ndërsa, prokurori special Gashi propozoi që ndaj të akuzuarit Sheqiri të lëshohet urdhërarrest pasi që sipas tij, i njëjti qëllimisht po i shmanget thirrjes së gjykatës.

“Prandaj konsiderojmë se janë plotësuar kushtet për lëshimin e urdhërarrestit nga ana e gjykatës ndaj të njëjtit dhe mendoj se është e vetmja masë që e cila e siguron pranin e tij në gjykim”, tha i njëjti.

Propozimin e tij, e ka kundërshtuar avokati Maliqi i cili theksoi se kemi të bëjmë me një person i një ka çrregullime mendore dhe sipas tij kjo tezë provohet nga dokumentacioni që janë ofruar nga vet akuza në shkresat e lëndës.

“Sipas këtij dokumentacioni të cilin e kanë nënshkruar të tre mjekë të lëmisë përkatëse Dr. Arlinda Hajdini, Dr. Nysret Agani dhe Dr. Vjollca Ramiqi, ata kanë vënë diagnozën nga kodi “EF 412 dhe F 31”, e që sipas këtij kodi nënkupton se i mbrojturit im lëngon nga ankthi dhe çrregullimi depresiv dhe çrregullimi efektiv bipolar”, tha i njëjti.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri avokati Besnik Berisha, në lidhje me propozimin e prokurorit ka thënë se këndvështrimin njerëzor nuk ka kushte për urdhërarrest.

Berisha tutje ka thënë se dyshon në tentativën dhe në seriozitetin e aplikimit të urdhëresën për sjelljen me detyrim nga ana e Policisë ndaj të akuzuarit Kadri Sheqiri.

“Unë kam përshtypjen se prokuroria propozimin e parashtruar nuk e ka hakikat siç thotë populli për ta siguru prezencën e tij e të mos dështoj gjykimi ndaj tyre por, siç e kishte paralajmëruara këtë kolegun tonë dhe të akuzuarin Kadri Sheqiri, në një takim pas seancave këtu se i ka thirr “me reflektu” kam përshtypjen se ajo është duke ndodh këtu”, tha tutje Berisha.

Sipas tij, për të evituar një situatë ku askush nuk merr drejtësi në fund shërbehet një padrejtësi nëse ka prova që merren me kërcenim të pushtetit përkatësisht prokurorit të shtetit.

Sigurimi i prezencës së Kadri Sheqirit sipas avokatit Berisha, është e domosdoshme për shkak të mbarëvajtjes së gjykimit, por sipas tij, urdhërarresti mos të shërbej si kërcënim për shkak të pendimit për gënjeshtrat e tij.

“Kjo çka po du me thanë, ju po besoj se dini, që është ftu në prokurori në bisedë informative. Unë po ju thom tash d.m.th. unë po ju thom që Kadri Sheqiri është ftu pas këtij gjykimi në bisedë informative në prokurori ku është kërku nga ai të reflektoj”, tha tutje Berisha.

I njëjti ka thënë nuk ka ndonjë normë që lejon bisedën informative e sidomos kërkesën për reflektim por sipas tij ka dispozita që sanksionojnë dhe normojnë tërheqjen nga marrëveshja si dëshmitar bashkëpunues.

‘Kësaj nuk i thojnë reflektim, kësaj i thonë ndikim edhe madje i kundërligjshëm”, tha ai.

Po ashtu, avokati Berisha ka thënë se mbi dëshminë  e tij është ndërtua ky mal letrash dhe është spekulua në secilën shkronjë në faqet e aktakuzës.

“Tash a kanë faj këta këtu e ne të gjithë që Kadri Sheqiri më në fund reflektoj se rrenat e tij nuk i qon anija përballë trupit gjykues”, deklaroi ai.

Sipas tij, prokuroria po shpreson se duke e fut edhe njëherë Kadri Sheqirin në paraburgim do të kthehet në marrëveshjen që këta e kishin pa ardhë në gjykim, duke theksuar se kjo është tendenca krejt ashiqare.

Pastaj, avokati Maliqi, ia dorëzoi gjykatës disa shkresa përmes së cilave u bë e ditur se i njëjti kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit të çështjes nga rasti, mirëpo një kërkese e tillë ishte refuzuar.

Lidhur me këtë, prokurori Gashi ka thënë se këto janë paragjykime nga të dy avokatët se gjëja se prokuroria bënë presion ose shantazh ndaj Kadri Sheqirit.

Gashi tha se prokuroria ka vepruar sipas udhëzimeve të gjykatës që janë përcaktuar në procesverbal në raport me dëshmitarin bashkëpunues.

“Nuk e di se si është ardhë në përfundim mbrojtja që ka qenë një bisedë informative. Nuk e di se apo ma mirë me quajt është një trillim kur thuhet se prokuroria ka bo presion që të reflektoj Kadri Sheqiri”, tha Gashi.

Sipas tij, ka qenë thjeshtë një takim që është mbajtur në prokurori në prezencën e mbrojtësit  dhe Kadri Sheqirit ku është diskutuar çështja e procedurës të revokimit të urdhrit për dëshmitar bashkëpunues.

Mirëpo, sipas prokurorit Gashi me pajtimin e avokatit prezent që është Xhafer Maliqi ky takim ishte shtyrë me qëllim të konsultimit edhe njëherë me të pandehurin Kadri Sheqiri nga ana e mbrojtësit.

“Lidhur me këtë prokuroria ka përpiluar shënim zyrtar i cili është në shkresat e lëndës se si ka rrjedhë takimi kush ka marrë pjesë, pas kësaj bisede është ndërprerë ky takim për ditët në vijim, ku në ndër kohë avokati Shafer Maliqi ka paraqit kërkesë për përjashtimin e prokurorit nga rasti. Si rezultat i kësaj është trajtu ajo kërkesë nga personat kompetent, është marrë një vendim dhe jemi sot ku jemi”, tha i njëjti.

Pas të gjitha këtyre diskutimeve, trupi gjykues pas këshillimit mori vendim me të cilin aprovoi propozimin e prokurorit Gashi për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Kadri Sheqirit.

“Aprovohet propozimi i prokurorit special për lëshimin e urdhërarrestit konfrom nenit 173 të Kodit të Procedurës Penal të Republikës së Kosovës për të pandehurin Kadri Sheqiri, me qenë se nga procesverbalet e seancat e kaluara dhe ftesa që i është dërguar si dhe deklarimit të avokatit mbrojtës Xhafer Maliqi i pandehuri Kadri Sheqiri ka qenë i njoftuar për seancat gjyqësore dhe trupi gjykues bazuar në të lartcekurat vlerëson dhe konstaton se i njëjti me qëllim i shmanget ardhjes përkatësisht prezencës në seancat e shqyrtimit gjyqësor”, tha gjykatësi Konxheli.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan më 6, 7 dhe 19 dhjetor 2023.

Ndryshe, të akuzuarit Izet Sheqiri, Kadri Ibrahimi dhe Faton Vrajolli gjenden nën masën e paraburgimit, kurse i akuzuari Fehmi Bytyqi është nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa i akuzuari Kadri Sheqiri gjendet në liri.

Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.

Në këtë shqyrtim gjyqësor kishte ndryshuar trupi gjykues, ku gjyqtari Arben Hoti është ndërruar me gjyqtari Valon Kurtaj.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramëv kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove, raporton betimiperdrejtesi.

Në trend Lajme

Më shumë
John Ratcliffe, drejtor i ri i CIA-s dhe lidhjet e forta me komunitetin shqiptar në SHBA

John Ratcliffe, drejtor i ri i CIA-s dhe lidhjet e forta me komunitetin shqiptar në SHBA

Lajme
Gazifikimi i Korçës, projekti fillon vitin tjetër dhe pritet të përfundojë në 2027-ën

Gazifikimi i Korçës, projekti fillon vitin tjetër dhe pritet të përfundojë në 2027-ën

Lajme
Ahmeti: Akuzat e Qeverisë ndaj Prokurorisë Speciale janë skandaloze

Ahmeti: Akuzat e Qeverisë ndaj Prokurorisë Speciale janë skandaloze

Lajme
Haziri: Në Vetëvendosje janë të pakënaqurit e PDK-së

Haziri: Në Vetëvendosje janë të pakënaqurit e PDK-së

Politikë
Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan

Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan

Drejtësi
​“Bëjeni Kosovën të madhe sërish”, në Prishtinë vendosen posterë me Trumpin e Grenellin

​“Bëjeni Kosovën të madhe sërish”, në Prishtinë vendosen posterë me Trumpin e Grenellin

Lajme
Kalo në kategori