Gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë, rrëfimi i policit në gjykatë
Në gjykimin ndaj Dushan Maksimoviqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Vlladimir Toliqit, tre prej 45 personave nga grupi i Milan Radoiçiqit, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, ka dëshmuar edhe polici Avni Shala.
Të pandehurit po akuzohen për sulmin terrorist në fshatin Banjskë, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku më 24.09.2023.
Në këtë rast të akuzuar janë 45 persona, por vetëm tre prej tyre janë të paraburgosur, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq.
Në seancën e sotme (12.06.2025) fillimisht ka dhënë dëshminë polici Elez Peci, dhe tutje dëshminë lidhur me këtë rast e ka dhënë edhe polici Avni Shala, i cili ka dhënë detaje për ditën kritike 24.09.2023.
Dëshmitari Avni Shala tha se më 24 shtator 2023 rreth orës 02:00 përmes radiolidhjes nga kolegët e tij të Njësisë Kufitare kishte dëgjuar se në fshatin Banjskë janë vendosur barrikada.
Dëshmitari Shala tha se rreshteri Afrim Bunjaku me tre kolegë të tjerë ishin nisur në drejtim të Banjskës, ndërsa ai me një koleg tjetër, Halim Behramajn, ishin nisur në drejtim të Banjskës 5 minuta më vonë.
Dëshmitari Shala tregoi edhe momentin e shpërthimit që kishte ndodhur në Banjskë.
“Fillimisht është dëgju si një fishkëllime e fishekzjarreve, pastaj një detonim i cili ka shkaktu një zbardhje të komplet rrugës. Në të njëjtën kohë janë dëgjuar të shtëna nga drejtime të ndryshme, të kalibrave të ndryshëm. Unë për një moment kam arritë të kthehem sërish te automjeti im. Aty iu kam përgjigjur zjarrit nga ku kam vlerësuar se janë duke ardhur krismat”- tha dëshmitari.
Dëshmitari Shala rrëfeu edhe momentet kur kishte parë të shtrirë rreshterin Afrim Bunjaku.
“E kam vërejtur se një person ka qenë i shtrirë, nuk kam qenë i sigurt që ka qenë rreshteri meqenëse kam pasë dyshimet e mia se mund të jetë, dhe kam shikuar në këmbë që nuk lëvizte, shumë shpejt zyrtarët policorë Elez Peci së bashku me një zyrtar të Njësisë së Kufirit që më vonë kam kuptuar që quhej Mirsad, ka arritur ta marr një automjet Toyota dhe kanë tërhequr rreshterin tashmë të ndjerë, e kanë futur në automjet mes plumbave dhe kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes” – tha dëshmitari Shala.
Dëshmitari tha se ka pasur të shtëna të armëve të kalibrave të ndryshëm, kishte dëgjuar të shara në gjuhën serbe dhe kishte parë edhe dronin i cili ka qenë mbi kokat e tyre.
Dëshmitari tha se në fshatin Banjskë nuk ka pasur ndriçim publik dhe nuk kishte pasur as ndriçim të shtëpive në fshat.
Lidhur me këtë sulm dëshmitari Shala tha se ky sulm nuk ka qenë sulm i zakonshëm. Sipas tij, personat që kanë sulmuar kanë qenë shumë të stërvitur dhe të organizuar.
“Unë i bëj 23 vjet përvojë pune dhe nuk kam parë ndonjë gjë të tillë. Kemi pasur sulme, arrestime, por ky ka qenë diçka tjetër. Nëse marr parasysh kalibrat e armëve të ndryshme, “Zola”, dronët, më jep përshtypjen që këta persona kanë qenë të organizuar, të stërvitur. Normal kam qenë në rrezik që nuk kam qenë më herët… Këta njerëz kanë qenë super të organizuar dhe super të stërvitur” – tha dëshmitari Shala.
Dëshmitari Shala tha se pas tri ditësh nga kurreshtja kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe kolegët e tij kishin fotografuar mbetjet e predhave (‘Zolave’) të pashpërthyera, pastaj e kishte parë edhe pozicionin e pavaforshëm ku kishte qenë ai me kolegët në ditën kur kishte ndodhur sulmi terrorist në Banjskë.
Ky rast është duke u trajtuar nga trupi gjykues i përbërë nga Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues) dhe Rrahman Beqiri dhe Ngadhnjim Arrni (anëtarë).
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale – terrorizëm, – financim i terrorizmit, dhe – shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar: Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.
Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal: duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.
Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale, raporton Kallxo.






























