Gjykata Speciale në Hagë në fillim të muajit prill do të fillojë gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në të cilin, bazuar në numrin e madh të dëshmitarëve, parashikohet që vetëm paraqitja e provave-dëshmive të zgjasë mbi gjashtë vjet.
Avokatët thonë se zgjatja e procesit gjyqësor do të cenonte parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm.
Avokati Artan Çerkini në një prononcim për Telegrafin ka thënë se një proces i arsyeshëm gjyqësor është nga tri deri në pesë vjet.
“Sa i përket kohëzgjatjes mendoj se gjashtë vite është shumë, jashtëzakonisht shumë. Nëse procesi do të zgjasë gjashtë vjet, mendoj se do të cenohet parimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Një afat i arsyeshëm është tri deri në pesë vjet”, ka thënë Çerkini.
Ai po ashtu tregoi për procedurën e nisjes dhe përfundimit të një procesi gjyqësor.
Ndërsa avokati, Taulant Hodaj ka thënë se prokuroria dhe avokatët në të ardhmen mund të heqin dorë nga dëgjimi i disa dëshmitarëve në mënyrë që, siç tha ai, procedura të jetë sa më efikase.
“Ashtu siç e keni dëgju, është dakordu që më 3, 4 ose 5 prill, do të jenë fjalët hyrëse të palëve ku do të fillojë gjykimi kryesor. Dhe më 11 prill nisin dëshmitë e dëshmitarëve. Në lidhje me afatin dhe diskutimin me trupin gjykues, parashihet që të jenë diku rreth 312 dëshmitarë. Nëse shkohet ashtu siç e kërkon prokuroria, nevojiten rreth 6 vjet kohë deri në dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve dhe marrje në pyetje edhe të palëve në procedurë. Mendoj që në të ardhmen të dakordohen që prokuroria dhe avokatët të heqin dorë nga dëgjimi i disa dëshmitarëve në mënyrë që procedura të jetë sa më efikase”, vlerësoi Hodaj.
I pyetur se si mund të shkojë ecuria e gjykimit, ai tha se nuk mund të paragjykojë, sepse nuk është i angazhuar në këtë rast.
“Por, një gjë nga praktika e Gjykatës Speciale, është se dënimet i kanë të larta, në rastet kur vendosin të shpallin të fajshëm të akuzuarit, siç është rasti i Salih Mustafës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Po besoj se në rastin konkret janë ekipet mbrojtëse profesionale dhe do të bindin gjykatën që klientët e tyre të lirohen. Kjo mbetet të shihet gjatë shqyrtimit”.
Ndryshe, më 3 prill, në Gjykatën Speciale në Hagë do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është konfirmuar të hënën në konferencën mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ky proces gjyqësor do të fillojë të hënën në orën 09:00 me deklaratat hyrëse ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë.
Në konferencë është bërë e ditur se deklarata hapëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri në pesë orë.
Ndërsa, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi do t’i ketë tri orë për fjalën e saj hyrëse, ekipi i Kadri Veselit 45 minuta, mbrojtja e Rexhep Selimit një orë, ndërsa ajo e Krasniqit një orë e gjysmë.
Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka kërkuar nga palët të respektojnë kohën, derisa ka theksuar se mbrojtësit duhet të përqendrohen në çështje që lidhen me akuzat dhe të njëjtit të shmangin deklaratat të natyrës politike.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. /Telegrafi/