Gjykata liron nga paraburgimi kolonelin Nexhmi Krasniqi dhe tre të tjerët, u cakton arrest shtëpiak

Gjykata Themelore e Prizrenit ka marrë vendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit për kolonelin Nexhmi Krasniqi dhe tre të tjerët Xhevat Sallauka, Ramadan Paçarizi dhe Liman Sallauka.
Gjykata ka vendosur që masën e paraburgimit t’ua zëvendësoj me masën e arrestit shtëpiak për katër të pandehurit.
Telegrafi ka sigruar vendimin i cili është marrë më 29 shtator 2025.
Masa e arrestit shtëpiak do të llogaritet nga 1 tetori deri më 1 nëntor 2025.
Në vendimin e Gjykatës theksohet se të pandehurit nuk guxojnë të largohen nga lokalet, shtëpitë, banesat e tyre dhe se policia do të bëjë mbikëqyrjen e rregullt.

Gjykata ka paralajmëruar se në rast të shkeljes së vendimit, masa e arrestit shtëpiak do të zëvendësohet me paraburgim.
Kujtojmë se Nexhmi Krasniqi dhe tre të pandehurit e tjerë ishin arrestuar në gusht të këtij viti, nën dyshimet se kanë detyruar një qytetar që të shesë përgjymë më lirë një pronë me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, prona në fjalë ka pasur vlerë prej 400 deri në 500 mijë euro, por është shitur për vetëm 250 mijë euro, për shkak të frikës dhe presionit që i është bërë të dëmtuarit.
Dosja e Prokurorisë theksonte se kjo është bërë me miratimin e një dëshmitari dhe në dobi të Ramadan Paçarizit, i cili përfitoi nga kjo shitje nën çmimin e tregut.
“Gjatë një takimi, të pandehurit i kanë bërë presion të dëmtuarit që të heqë dorë nga pjesa e tij në ngastrën nr. 749, në favor të R.P. Tre nga të arrestuarit dyshohet se kanë përfituar nga 10 mijë euro secili”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas të njëjtit dokument, një pjesë e shumës së parave të gatshme është dorëzuar në zarf në shtëpinë e Krasniqit, ku më vonë u gjetën gjatë një bastisjeje të ndërmarrë nga hetuesit policorë. /Telegrafi/



















































