LAJMI I FUNDIT:

Gaxherri nuk pranon koalicion veç me Vetëvendosjen

Gaxherri nuk pranon koalicion veç me Vetëvendosjen

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, duke folur për koalicione të mundshme të partisë së saj me partitë e tjera në Kosovë, ka thënë se nuk do pajtohej që të ketë koalicion me partinë më të madhe opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Vetëvendosje është një subjekt politik i Kosovës. Të gjitha i konsideroj asete shtetërore. Vetëvendosje ka shumë të meta. Për momentin qysh funksionojnë, s’do të pajtohesha të jem në koalicion me ta”, ka thënë ajo në Info Magazine të Klan Kosovës.

Për AAK-në ajo është shprehur se ata janë më ndryshe, ndërsa nuk i sheh zgjedhjet si zgjidhje për problemet.


Duke iu referuar nismës së presidentit Hashim Thaçi për reformën zgjedhore, Gaxherri ka thënë se tani është koha e duhur për të punuar për këtë çështje.

“Zgjedhjet për afatin e rregullt i kemi në vitin 2018, e tash është koha e duhur për të punuar për reformën që do të jetë e pranueshme për të gjitha partitë politike”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, nëse zgjedhjet janë temë diskutimi çdo ditë, atëherë duhet që kjo reformë të përgatitet më shpejtë.

Duke iu referuar një sondazhi për zgjedhje, që e liston PDK-në të parën e Lëvizjen Vetëvendosje të dytën, ajo thotë: “Në këtë sondazh i bie se qytetarët paskan zgjedhur mes ‘Pronto’ dhe ‘Molotovit’. Këtu PDK ka dalë e para, e Vetëvendosje e dyta. Nëse realisht qytetarët mendojnë kështu, unë jam thellësisht e dëshpëruar”.

Kur iu referua PDK-së si “Pronto”, Gaxherri, partia e së cilët është në koalicion me PDK-në, ka thënë se ata nuk janë pjesë e kësaj partie.

“Ne jemi në koalicion me PDK, por nuk jemi pjesë e PDK. Nëse nuk do të ishim në bashkëqeverisje me PDK, do të ishim me këto partitë tjera”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, duke folur për deklaratat e kryeparlamentarit, njëherësh liderit të PDK-së, Kadri Veseli, për zgjedhje, ajo ka thënë se Veseli duhet të jetë më serioz.

“Unë e marrë zyrtare kur dy liderët e partive deklarohen për çështje me rëndësi, por jo çështjen ditore. Veseli duhet të jetë më serioz, duhet të punojë, ose nëse ka diçka duhet të prononcohet. Kur deklarohen liderët e mëdhenj duhet të qëndrojnë prapa deklaratave të tyre. Veseli nuk ka qenë nënshkrues i marrëveshjes, por as nuk ka ardhur nga planeti i Marsit. Këtu ka qenë, ka qenë personi i dytë pas Thaçit. Secili duhet të mendojë më të mirën për shtetit e jo të deklarohet për treg ditor”, thotë deputetja e LDK-së. /Klan Kosova/