Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se problemet më të mëdha me ndotjen e zonave turistike në vend nuk vijnë nga turistët e huaj, por nga vetë shqiptarët.

Gjatë një aktiviteti për sezonin turistik veror, Rama theksoi se në pikat më të bukura dhe panoramike të Shqipërisë gjenden gjithashtu grumbujt më të mëdhenj të mbeturinave, të cilat sipas tij shkaktohen kryesisht nga pushuesit shqiptarë.


“Turistët që ndotin nuk janë anglisht, frëngjisht, italisht apo spanjishtfolës, por shqipfolës – nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut. Janë ata që ndalojnë për të shijuar pamjet, bëjnë selfie duke thënë ‘oh sa e bukur është Shqipëria’, por në të njëjtën kohë shkarkojnë plehrat nga makinat e tyre”, tha Rama.

Ai shtoi se grumbullimet më të mëdha të plehrave shihen pikërisht në zonat ku pushuesit ndalojnë për të bërë fotografi apo për të pushuar. Sipas tij, të njëjtët persona që shfaqin sjellje të papërgjegjshme ndaj mjedisit janë edhe ata që shkaktojnë incidente në stadiume.

“Jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ulëritësit më të mëdhenj në stadiumin kombëtar, ata që thyejnë karriget dhe e kthejnë ndeshjen në një betejë, sidomos kur luhet me Serbinë apo kundër ndonjë tjetër. Po këta janë edhe ndotësit e Shqipërisë kur shkojnë në plazh”, u shpreh kryeministri.