Fshatrat e Zveçanit nuk po furnizohen me ujë të pijshëm nga KRU "Mitrovica", kryetari Peci kërkon zgjidhje të problemit

Fshatrat e Komunës së Zveçanit – Lipë, Boletin dhe Zhazhë nuk po furnizohen me ujë të pijes nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”.
Kryetari i kësaj komune, Ilir Peci ka thënë se KRU “Mitrovica” nuk është duke e respektuar marrëveshjen e nënshkruar më 05.02.2025.
Qëllimi i nënshkrimit të marrëveshjes ishte sigurimi i ujit të pastër dhe të sigurt për konsumatorët, ofrimi i ujit në sasi të mjaftueshme dhe pa ndërprerje, menaxhimi efikas i faturimit të shërbimeve të ujit, inkasimi i pagesave nga konsumatorët dhe investimet për përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të ujit, shkruan Telegrafi.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët që pas shumë përpjekjeve nga ana jonë si komunë, që ta bindim ujësjellësinë per t’i furnizuar me ujë të pijshëm banorët e fshatrave, prap se prap ata nuk janë duke zbatuar marrëveshjen të cilën e kemi nënshkruar me datën 05.02.2025 dhe numër protokolli 1296/25, e që kanë obligim ligjor që gjithë qytetarët e komunës sonë të furnizohen me ujë të pijshëm”, ka thënë kryetari.
Ai i’u ka kërkuar falje banorëve dhe i ka bërë thirrje publike ujësjellësitë t’i furnizojnë banorët e fshatrave shqiptare me ujë të pijshëm. /Telegrafi/


















































