Përfaqësuesi i Francës në Kombet e Bashkuara, Jérôme Bonnafont, ka theksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fjalimin e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bonnafont tha se e ardhmja e dy vendeve është e përbashkët në kuadër të integrimit evropian dhe një mjedisi paqeje e prosperiteti.


Ai vlerësoi se rruga drejt integrimit është komplekse, por në interes të të dy popujve, duke theksuar nevojën për ndërtimin e shteteve që tejkalojnë plagët e së kaluarës dhe forcojnë demokracinë pluraliste.

Përfaqësuesi francez u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke e cilësuar atë si mekanizëm të rëndësishëm dhe efektiv për normalizim.

Bonnafont përgëzoi gjithashtu përparimet e fundit në dialog, si dhe miratimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë, duke theksuar se ai është realizuar në konsultim me Bashkimin Evropian dhe se zbatimi i tij duhet të ndiqet nga afër në bashkëpunim me BE-në dhe përfaqësuesit relevantë.

Ai nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit, duke i cilësuar si bazë për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe kërkoi rol aktiv të OKB-së dhe UNMIK-ut në këtë proces.

Sipas tij, kthimi i pjesëmarrjes së serbëve në institucionet dhe qeverisjen lokale në Kosovë është thelbësor për stabilitetin dhe funksionimin demokratik.

Në lidhje me sulmin në Banjskë, Franca kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ai ritheksoi mbështetjen për UNMIK-un, KFOR-in dhe EULEX-in, duke theksuar angazhimin e Francës për paqe afatgjatë dhe pajtim mes Kosovës dhe Serbisë.

Bonnafont deklaroi se Franca mbetet e angazhuar në procesin e dialogut dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje institucionale dhe ndërkombëtare për stabilitet, drejtësi dhe bashkëpunim afatgjatë mes dy vendeve.

- YouTube www.youtube.com