Franca dhe Britania e Madhe do të përfaqësojnë Evropën në tryezën e negociatave – thotë Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar do të përfaqësojnë Evropën në tryezën e negociatave.
Ai e tha këtë në një konferencë për shtyp pas një takimi të liderëve evropianë për mbështetjen e Ukrainës dhe sigurinë në Evropë, i cili u zhvillua të enjten në Paris, transmeton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
"Sot, të gjithë ne - partnerët tanë në Evropë - ramë dakord që Franca dhe Britania e Madhe do të përfaqësojnë Evropën në negociatat e paqes. Macron dhe Starmer. Besoj se kjo është gjithashtu e rëndësishme. Ky është një pozicion i qartë. Dhe ne duam t'ia dërgojmë këtë sinjal të gjithë partnerëve tanë të tjerë dhe, natyrisht, Shteteve të Bashkuara", tha Zelensky.
Ai theksoi se qëndrimi i Ukrainës për formatin e negociatave të paqes është shumë i qartë: "Evropa duhet të jetë në tryezë kur bëhet fjalë për përfundimin e luftës".
"Ne nuk po shqyrtojmë alternativa. Ky është pozicioni ynë i vendosur. Evropa është shumë e madhe dhe duhet të ketë një përfaqësim të qartë në tryezën e negociatave", ka shtuar Zelensky.
Më 27 mars, liderët evropianë u takuan në Paris për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus dhe arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Diskutimet mbuluan gjithashtu vendosjen e mundshme të forcave të garancisë së sigurisë në Ukrainë. /Telegrafi/





















































