Formacioni i vitit 2022 në Superligën e Kosovës në futboll

Futbolli kosovar ka përfunduar për vitin 2022 me një vit që ka qenë sa interesant aq edhe emocionues.
Ballkani i Therandës mori titullin e kampionit për edicionin 2021/22 derisa Llapi fitoi Kupën e Kosovës, ndërkohë kur ka kaluar gjysma e edicioni 2022/23, Drita e Gjilanit e ka mbyllur si kampion vjeshtor.
Ndërkohë tradita vazhdon ku Telegrafi zgjedh edhe formacionin më të mirë të një viti kalendarik në Superligën e Kosovës.
Ballkani si kampion në fuqi e dominon këtë formacion me gjashtë futbollistë, me tre vije Drita, derisa Llapi me një e Gjilani me një tjetër (Edhe pse Arbnor Ramadani ka dhënë kontribut të madh edhe te Llapi në pjesën e parë të vitit).
Në portë është Faton Maloku që ka rikthyer formën e tij më të mirë dhe ka qenë pika e fortë e Dritës si në edicionin e kaluar ashtu edhe në këtë të sivjetmë.
Mbrojtja përbëhet nga Armend Thaqi në krahun e djathtë, me mbrojtësin anësorë që ka shkëlqyer me gola e asistime duke i siguruar titullin e kampionit Ballkanit.
Për Lumbardh Dellovën ka qenë shumë i suksesshëm rikthimi në Kosovë, pasi ai ka shkëlqyer me Ballkanin ku ka marrë edhe titullin e kampionit dhe ka qenë lojtari kryesor në qendrën e mbrojtjes nga trajneri Ilir Daja.
Ilir Krasniqi është një nga zbulimet e këtij viti në futbollin kosovar. Mbrojtësi i talentuar ka qenë ndër më meritorët që Llapi arriti ta mbrojë Kupën e Kosovës dhe falë formës fantastike ka marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja A e Kosovës.
Ndërkohë në krahun e majtë të mbrojtjes është mbrojtësi i Ballkanit, Astrit Thaqi. 29-vjeçari ka qenë lojtari i preferuar i Ilir Dajës, madje falë paraqitjeve fantastike ka lënë mbrapa në hierarki edhe emra të dëshmuar si Arbër Potoku e Leonit Abazi duke qenë titullar para të dyve.
Një tjetër yll që ka shëndrrit këtë vit në Superligë është Lindon Emërllahu nga Suhareka. 20-vjeçari me ardhjen e Ilir Dajës u bë lojtari kryesor në mesfushën e suharekasve dhe dha kontribut të madh në fitimin e titullit të parë të kampionit. Emërllahu vazhdoi me paraqitje fantastike edhe këtë vit në elitën e futbollit kosovar dhe arriti të ftohej në Përfaqësuesen A të Kosovës.
Përkrah Emërllahut në qendër të mesfushës është njëri nga më të mirët në këtë pozitë në vitet e fundit në futbollin kosovar, Rron Broja. Mesfushori mitrovicas ka qenë motori i Dritës në shkatërrimin e aksioneve të kundërshtarëve dhe ndërtimin e skuadrës së tij.
Mesfushori i tretë që zë vend në formacion është Arbnor Ramadani që dha kontribut të madh për dy ekipet, ku ka qenë lojtari kryesor si për Llapin në gjysmën e parë të vitit ashtu edhe për Gjilanin në gjysmën e dytë të këtij viti. 28-vjeçari ishte kryesori te Llapi në fitimin e Kupës së Kosovës ku edhe në finale shënoi gol, derisa edhe këtë edicion me Gjilanin dha kontribut me tre gola e tre asistime mes kampionatit e Kupës.
Sulmi është i frikshëm, me Meriton Korenicën, Ermal Krasniqin dhe një 'bombardues' portash si Marko Simonovski.
Meriton Korenica ka qenë ndoshta lojtari kryesor në suksesin e Ballkanit, pasi rahovecasi dha kontribut të madh me me shtatë gola e tre asistime vetëm në garat e Superligës.
Statistika edhe më të mira kishte Ermal Krasniqi, ku kontribuoi në suksesin e Ballkanit me 16 gola e tre asistime brenda vitit 2022 në futbollin kosovar.
E padyshim shënuesi më i mirë i këtij viti është Marko Simonovski. Sulmuesi maqedonas ishte një makineri golash pasi e mbylli vitin 2022 me 21 gola e tre asistime me fanellën e Dritës.






























































