LAJMI I FUNDIT:

FMN: Ndasitë politike do ta pamundësojnë rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë

FMN: Ndasitë politike do ta pamundësojnë rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë

Qytetarët e Kosovës dhe ekonomia e saj janë goditur rëndë nga pandemia COVID-19, ndërsa politikat fiskale dhe financiare kanë zbutur ndikimin e goditjes në ekonomitë familjare dhe biznese, ndonëse mungesa e konsensusit politik deri më tani ka parandaluar një reagim më të fortë të politikave.

Kështu thuhet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), derisa ka edhe vlerësime për mjetet e 10 përqind të Trustit.

Po ashtu, FMN vlerëson se ndasitë politike në Kuvend do ta komplikojë zbatimin e masave zbutëse dhe të rimëkëmbjes.


“Ndarjet politike mund ta komplikojë zbatimin e masave zbutëse dhe të rimëkëmbjes. Nga ana pozitive, progresi me vaksina dhe trajtime do të mund ta bëjë të mundur kthimin e lëvizshmërisë në nivele normale më shpejtë”, thuhet në raport.

Më tej në këtë raport thuhet se fokusi i politikave afatshkurtra duhet të jetë në sigurimin që sistemi shëndetësor të mund ta përballojë efektshëm kërkesën jashtëzakonisht të lartë për shërbime shëndetësore, duke vazhduar me mbështetje të të ardhurave.

FMN-ja parasheh një rënie ekonomike për sivjet 7.5 përqind.

“Në frontin ekonomik, BPV reale parashikohet të pësojë rënie prej 7.5 për qind më 2020 dhe të kthehet me 6 për qind më 2021.1 Rënia e rritjes në shtetet ku kemi prani të madhe të diasporës së Kosovës (-6 për qind në 2020), si dhe kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit do t’i kushtojnë Kosovës 6 pikë përqindjeje të BPV-së në të hyrat nga diaspora për vitin 2020. Kjo do të rëndojë efektin negativ në rritje nga rëniet e detyrueshme dhe vullnetare të lëvizjes brenda vendit dhe pasigurisë së shtuar”, thuhet në raport.

Ndërsa, për mjetet e kursimeve pensionale që parashihet tërheqja e 10 përqind me Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, FMN vlerëson se zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit.

“Përpjekja e jashtëzakonshme fiskale për vitet 2020 – 2021 duhet të ankorohet me veprime të besueshme konsolidimi, sapo të jetë stabilizuar rimëkëmbja ekonomike. Për t’u përgatitur për këtë, nevojitet një strategji e qartë komunikimi që nxjerr në pah natyrën e përkohshme të këtyre pagesave shtesë dhe transfereve aktuale. Për më tepër, duhet zbatuar reformat për rifokusimin e shpenzimeve sociale për të mbrojtur personat më të cenueshëm. Duhet të shmanget krijimi i përfitimeve pensionale shtesë, mbi skemat ekzistuese, pa një analizë të qëndrueshmërisë aktuariale të përfitimeve ekzistuese. Gjithashtu, tërheqja e propozuar e 10 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) minon Shtyllën 2, zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit”, thuhet në raportin përmbyllje të vizitës së misionit të FMN-së, i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, që zhvilloi një vizitë virtuale nga 23 shtator deri më 7 tetor në Kosovë.

Po ashtu FMN ka kërkuar nga Qeveria që ndarja e 60 milionë eurove nga fondi për rimëkëmbje për biznese, transferet në kompanitë private duhet të jenë të targetuara dhe transparente.

“Transferet e planifikuara prej 60 milionë euro (1 për qind e BPV-së) duhet të sigurojnë që mbrohen vendet e punës në kompanitë që do të mbesin aktive pas përfundimit të pandemisë. Kriteret për kualifikim duhet të jenë të qarta, dhe lista e përfituesve duhet të bëhet publike (në përputhje me legjislacionin). Projektimi i subvencioneve të mëdha për bujqësinë (prej rreth 1 për qind të BPV-së në vitin 2020, përfshirë masat e planifikuara të rimëkëmbjes) duhet të forcohet ashtu që të rritet transparenca dhe efektiviteti i tyre”, thuhet më tej në raportin e FMN-së.

Ky mision ndërkombëtar, vlerësim pati edhe për vendimet e BQK-së për t’i shtyrë pagesat e kthimit të kredive.

“Vendimi për t’i shtyrë pagesat e kredisë në mars rezultoi me një moratorium tremujor në pagesa të kredisë, që u shfrytëzua nga më shumë se 50 për qind e gjithsej kredive bankare. Me mbylljen e kësaj dritareje, në qershor, BQK lejoi aplikime për zgjatje dhe ristrukturim të kredive deri në 1 vit, në baza individuale. Pas mbylljes së kësaj dritareje, në shtator, u riprogramuan rreth 15 për qind e regjistrit të kredive bankare”. /KP/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Afati mbyllet këtë të shtunë! Bursa për studentët e Kosovës për studime Bachelor dhe Master në CITY College, Universiteti York Europe Campus në Selanik, Greqi

Afati mbyllet këtë të shtunë! Bursa për studentët e Kosovës për studime Bachelor dhe Master në CITY College, Universiteti York Europe Campus në Selanik, Greqi

Çeli pranvera, çelen edhe zbritjet fantastike në Bau Market!

Çeli pranvera, çelen edhe zbritjet fantastike në Bau Market!

Ekonomi
Tradita e Prizrenit në çdo kafshatë - LIRI sjell shijen e ëmbël të Ramazanit

Tradita e Prizrenit në çdo kafshatë - LIRI sjell shijen e ëmbël të Ramazanit

Rrezikohen shërbimet për fëmijët me sindromën Down: Dërgo SMS dhe Ndihmo!

Rrezikohen shërbimet për fëmijët me sindromën Down: Dërgo SMS dhe Ndihmo!

Ekonomi
Njoftim me rëndësi nga Aeroporti i Prishtinës!

Njoftim me rëndësi nga Aeroporti i Prishtinës!

Ekonomi
Si do të ndikojnë tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikën në çmimet e karburantit në SHBA?

Si do të ndikojnë tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikën në çmimet e karburantit në SHBA?

Botë
Kalo në kategori