Fillon rikonstruksioni i aeroportit të Ohrit

Sot fillon rikonstruksioni i aeroportit “Shën Apostull Pali” në Ohër, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtorit të TAV Maqedoni, Nexhat Kurt.
Bëhet fjalë për rikonstruksionin e parë më të madh të aeroportit që nga ndërtimi i tij në vitin 1952. Ndërhyrjet e fundit më të vogla janë realizuar gjatë modernizimit në vitin 2011.
Sipas autoriteteve, projekti do të mundësojë përmirësimin e kushteve për udhëtarët dhe rritjen e numrit të fluturimeve. Ministri Nikolloski theksoi se objekti deri vonë nuk ka qenë plotësisht i legalizuar, gjë që ka paraqitur pengesë për zhvillim.
Aktualisht, aeroporti i Ohrit operon me dhjetëra destinacione, kryesisht sezonale, drejt qyteteve evropiane.
Me rikonstruksionin pritet që aeroporti të shndërrohet në një pikë më të rëndësishme turistike dhe transportuese në rajon, duke tërhequr linja të reja ajrore dhe duke rritur atraktivitetin e qytetit për vizitorët e huaj.





















































