LAJMI I FUNDIT:

Ferizaj dhe Ballkani i ndajnë pikët

Ferizaj dhe Ballkani i ndajnë pikët
(Foto: Facebook/FC Ferizaj)

Ballkani nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë në udhëtimin te Ferizaj (1-1), në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 26-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Vendasit e nisën më mirë takimin me dy raste të pakonkretizuara nga Filip Stojanovski, mirëpo ishin mysafirët ata që shënuan.

Një harkim të Besnik Krasniqit e shfrytëzoi Arbër Prekazi, i cili goditi me kokë për ta zhbllokuar rezultatin (17’).


Në vazhdim, Edon Sadriu e futi topin në rrjetë për Ferizajn, mirëpo goli u anulua pasi paraprakisht kishte bërë ndërhyrje të gabuar.

Përpjekjet e skuadrave vazhduan edhe në pjesën e dytë, në të cilën nikoqirët ia dolën që ta barazonin rezultatin.

Një goditje dënimi në afërsi të zonës kundërshtare e ekzekutoi Albin Krasniqi (78’), i cili shënoi gol të bukur për Ferizajn.

Në minutat e mbetura, të dyja ekipet e kërkuan golin e fitores, mirëpo pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit shifrat mbetën identike.

Ndërkohë që ndeshjet po zhvillohen me dyer të mbyllura, disa tifozë, duke i përfshirë edhe ata nga Suhareka, ishin të pranishëm përreth rrethojave për t’i mbështetur skuadrat e tyre të zemrës.

Ballkani mbetet pesë pikë prapa Dritës në garën për titull, ndërsa Ferizaj merr një pikë të rëndësishme në përpjekjet për mbijetesë. /Telegrafi/