Telegrafi

Federata e Futbollit të Anglisë hap konkurs për përzgjedhësin e ri – shtatë cilësitë që po kërkojnë për zëvendësuesin e Southgate

Federata e Futbollit të Anglisë po kërkon përzgjedhës të ri, pasi Gareth Southgate u largua nga detyra pas Euro 2024, ku zuri vendin e dytë.

FA ka hapur konkurs ku kërkon nivelin më të lartë të kualifikimeve për trajner, madje edhe një “rekord të fortë historik” qoftë në Ligën Premier League ose në grat tjera kryesore.

Southgate vendosi të largohej nga posti i trajnerit të Anglisë pas humbjes nga Spanja në finalen e Euro 2024, duke thënë se ” është koha për ndryshim”.

Një varg emrash tashmë janë lidhur me vendin vakant, duke përfshirë trajner anglezë si Eddie Howe dhe Graham Potter, por edhe emra të tjerë si Mauricio Pochettino, Thomas Tuchel, apo Ange Postecoglou. Madje ka pasur sugjerime për emërimin e Lee Carsleyt të U21 për një periudhë të përkohshme derisa kontrata e Pep Guardiolës me Manchester City të skadojë në vitin 2025.

Në shpalljen e tyre të punës, FA shkruan se kandidati i suksesshëm duhet të ketë licencë UEFA Pro. Po ashtu shkruhet se duhet të ketë përvojë të konsiderueshme në futbollin anglez, me një histori të fortë që jep rezultate në Ligën Premier dhe/ose garat kryesore ndërkombëtare.

Pikat tjera kanë të bëjnë me të qenit një lider i jashtëzakonshëm që kupton dhe shijon mjedisin ndërkombëtar të futbollit, të ketë përvojë në identifikimin, menaxhimin dhe zhvillimin e suksesshëm të lojtarëve anglezë.

Janë gjithsej shtatë pika të cilat trajnerët duhet t’i plotësojnë që të marrin postin e të parit te Anglia.

Para dorëheqjes së tij, Southgate fitonte rreth 6 milionë euro në vit. Kjo ishte më shumë se sa ishte paguar Sven-Goran Eriksson, por më pak se paga e Fabio Capellos.

Anglia ka sërish ndeshje në shtator, kur përballet me Republikën e Irlandës dhe Finlandën në sezonin e ri të Ligës B të Kombeve. Kjo do të thotë se FA ose duhet të lëvizë shumë shpejt ose të vendos një trajner të përkohshëm dhe besueshëm si Carsley. /Telegrafi/