Zëvendëskomandanti i Qarkut Qendror Ushtarak të Rusisë, gjenerali Rustam Minnekayev, zbuloi në takimin vjetor të Aleancës së Industrive të Mbrojtjes qëllimet e fazës së dytë të pushtimit rus të Ukrainës.

Ndonëse shumë zyrtarë ushtarakë rusë prej ditësh theksojnë se qëllimi është “çlirimi” i Donbasit, gjenerali rus tha se përveç synimeve në këtë rajon, ushtria ruse ka për detyrë të përqendrojë aktivitetet e saja edhe në jug të Ukrainës.


“Që nga fillimi i fazës së dytë të operacionit special, i cili filloi dy ditë më parë, një nga detyrat e ushtrisë ruse është të vendosë kontrollin e plotë mbi Donbas dhe Ukrainën jugore”, tha gjenerali.

Sipas gjeneralit rus, kontrolli mbi Donbas do të mundësojë krijimin e një korridori tokësor për në Krime, raporton cnn.

Screenshot 1 114

"Kontrolli ynë mbi Donbas do të mundësojë një korridor të sigurt tokësor për në Krime dhe do të ndikojë në objektivat jetike të forcave ushtarake ukrainase dhe në portin e Detit të Zi përmes të cilit importohen dhe eksportohen produktet bujqësore dhe metalurgjike", tha Minnekayev.

Edhe pse është folur pak deri më tani për aktivitetet e mundshme rreth Odesës dhe rajonit separatist rus të Transnistrias në Moldavi, gjenerali i ushtrisë ruse konfirmoi se kontrolli mbi Ukrainën jugore është gjithashtu i fokusuar në këto pjesë, raporton theguardian.

"Kontrolli mbi jugun e Ukrainës na jep një rrugëdalje tjetër për në Transnistria, ku ka fakte për shtypjen e popullatës rusishtfolëse. Natyrisht, ne tani jemi në luftë me të gjithë botën siç ishte në Luftën e Madhe Patriotike. Ata kurrë nuk e kanë pëlqyer Rusinë”, përfundoi gjenerali.

Nga rruga, pjesa jugore e Ukrainës përfshin rajonet e Khersonit, Odessas, Mykolaivit, Zaporizhzhia dhe Dnepropetrovskit. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më herët se ka kontroll të plotë mbi rajonin Khersonit, ndërsa në rajone të tjera ende po zhvillohen luftime të ashpra. /Telegrafi/