Faleminderit, President Trump!

Lufta 12-ditore mes Izrael it dhe Iranit gjatë periudhës 13-24 qershor 2025 pati ndikime të menjëhershme dhe të ndjeshme në ekonominë botërore, pavarësisht arritjes së armëpushimit të përkohshëm mes të dyja vendeve. Lufta shkaktoi luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë, financave dhe transportit, duke rritur pasiguritë ekonomike në shkallë globale. Ajo çoi në një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Tregjet reaguan nga frika e ndërprerjes së furnizimit me naftë nga Lindja e Mesme, një rajon që prodhon mbi 30 për qind të naftës së botës. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me mbi 12 për qind brenda pak ditësh, duke arritur nivelet më të larta që nga viti 2022. Rritja e çmimeve preku kostot e transportit, prodhimit dhe energjisë në të gjithë botën. Pasiguria gjeopolitike solli rënie të ndjeshme edhe në bursat kryesore botërore. Rritja e çmimit të energjisë solli presione inflacioniste në shumë vende. Vendet importuese të forta të energjisë, si vendet e Bashkimit Evropian, Japonia, India etj., u përballën me rritje të kostove të prodhimit dhe transportit.
Nga ana tjetër, frika për sigurinë e kalimeve detare, sidomos përmes Ngushticës së Hormuzit, rriti çmimet e transportit dhe vonesat në furnizime. Kompanitë detare ndryshuan rrugët e transportit, duke sjellë kosto shtesë për mallrat. Çmimet e transportit detar u rritën me 15-20 për qind gjatë kësaj periudhe. Si përfundim, lufta 12-ditore Izrael-Iran solli një tronditje të fortë afatshkurtër në tregjet globale, me ndikime më të mëdha në energji, financa dhe tregti. Pasqyrimi i plotë i efekteve ekonomike pritet të shihet më qartë në muajt në vijim, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme gjeopolitike.
Kjo luftë ndikoi edhe në ekonominë tonë, edhe pse në mënyrë të tërthortë përmes presionit në çmimet, sidomos të naftës. Humbjet te ne në këto 12 ditë janë vetëm tek importuesit me shumicë të naftës, në nivele 3-4 milionë euro. Shqipëria importon 100 për qind të 600 mijë tonëve naftë dhe benzinë, që shesim në vit në tregun tonë me pakicë të karburanteve. Falë armëpushimit të shpallur tri ditë më parë nga presidenti amerikan Trump, i cili po reziston, humbjet në ekonominë tonë deri tani mund të llogariten në vetëm disa miliona euro. Në rast se konflikti do të kishte vijuar më gjatë dhe të ishte zgjeruar, me Iranin që të bllokonte përkohësisht Ngushticën e Hormuzit, humbjet në ekonominë tonë do të shtoheshin në mënyrë të jashtëzakonshme.
Tregu ynë i pakicës i karburanteve mund të rezistojë maksimumi 2-3 javë me çmim të pandryshuar, pasi rezervat e kompanive kryesore importuese të naftës tek ne zgjasin një muaj deri një muaj e gjysmë. Nëse nafta rritet në tregjet ndërkombëtare, importuesit tanë duhet të mbushin depot me naftë dhe po ta marrën importin më shtrenjtë, rrisin çmimin e pakicës me përzierjen naftë e rezervave me naftën e blerë rishtazi. Rritja e çmimit të naftës në pikat e karburantit te ne, për shkak të vijimit të luftës Izrael-Iran, do të shtonte zinxhir kostot për transportin, bujqësinë dhe prodhimin tonë, duke ushtruar presion mbi inflacionin. Nga ana tjetër, do të kishim inflacion të rritur, të importuar nga importet tona. Kjo, pse edhe Italia, importuesja numër një e jona, njësoj si ne, e siguron pothuajse të gjithë naftën nga jashtë. Dhe, 90 për qind të naftës Italia e merr nga Gjiri Persik. Inflacioni i shtuar do ta ulte fuqinë blerëse të familjeve tona, veçanërisht atyre me të ardhura modeste. Edhe pse ne e prodhojmë energjinë nga hidrocentralet dhe 10 për qind nga fotovoltaikët, në muajt e verës importojmë sasi të konsiderueshme energjie. Rritja e çmimit të energjisë në bursat evropiane, për shkak të naftës dhe gazit më të shtrenjtë do të shtonte edhe çmimin e importit të energjisë elektrike, duke ndikuar indirekt në buxhetin tonë të shtetit.
Lufta dhe tensionet në një zonë relativisht afër Ballkanit Perëndimor, si Lindja e Mesme, do të ulnin interesin e investimit nga investues të huaj edhe tek ne. Do të vonoheshin shumë projekte në infrastrukturë, energji dhe turizëm. Kosto totale e përllogaritur për vetëm tre-katër muaj zgjatje të luftës do të ishte mbi 500 milionë euro humbje për Shqipërinë, ose afër dy për qind të rritjes së saj ekonomike. Humbjet më të mëdha, krahas transportit dhe prodhimit, do t’i kishim në tkurrjen e ndjeshme të numrit të turistëve të huaj. Kjo, pasi turistët asnjëherë nuk udhëtojnë në zona afër rajoneve në luftë. Ja përse edhe ne, shqiptarët, duhet t’i jemi mirënjohës Presidentit Trump. Deri tani, me veprimet e tij, na shmangu të paktën gjysmë miliardë euro humbje në ekonominë tonë. Bota mbarë duhet t’i jetë mirënjohëse, pse shmangu një humbje, brerje të prodhimit botëror me mbi një triliard dollarë!

















































