Ernest Muçi kalon te Trabzonspori

Pasi ka bërë një nisje të fortë të sezonit të ri në Superligën e Turqisë, Trabzonspor vazhdon fushatën e transferimeve.
Klubi i njohur turk ka nënshkruar me mesfushorin sulmues 24-vjeçar shqiptar, Ernest Muçi nga Besiktasi, në formë huazimi deri në fund të sezonit.
Muçi, i cili mbërriti në Trabzon në mëngjes, u tha gazetarëve në aeroport se ishte i kënaqur që iu bashkua këtij klubi.
"Kjo është një mundësi e rëndësishme për mua. Do të luaj për një ekip të madh. Mezi pres të ndihmoj ekipin dhe të filloj të punojmë së bashku”, ka thënë fillimisht Muçi, i cili shtoi se e njeh mirë Trabzonsporin.
“Kur agjenti im më tregoi për interesin e Trabzonsporit, menjëherë thashë se doja të vija. Ky transferim më bëri shumë të lumtur. Dua të jem afër topit dhe të kontribuoj në ekip duke shënuar gola. E di që edhe trajneri ynë më do. Mezi pres të punoj me të dhe me ekipin”.
"Dua të bëj më të mirën time dhe të jem i dobishëm. Do të shohim nëse opsioni i blerjes do të ushtrohet në fund të këtij procesi. Mund të luaj në pozicione të ndryshme. Kam pasur diskutime me trajnerin tonë dhe i besoj atij. Jam 100% gati për këtë sezon”, përfundoi ylli shqiptar.
Më pas, Muçi u largua nga aeroporti me një automjet që priste ta merrte dhe ta dërgonte të kryente kontrollet shëndetësore para nënshkrimit të kontratës. /Telegrafi/



















































