Ermira Babamusta: Për ta arritur të mundurën, duhet bërë të pamundurën!

Dr. Ermira Babamusta është eksperte e çështjeve politike, shkrimtare, politikologe e çka jo tjetër Bisedoi: Shaqir Foniqi
E lindur në Shqipëri, nga prindërit, Neki e Suzana Babamusta, ajo më 1998 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në SHBA, falë një programi, 'Student Cultural Exchange! Atje, përfundon studimet me notën më të lartë, duke bërë të pamundurën, për ta arritur të mundurën.
Pas përfundimit të studimeve, hullia e sukseseve dhe çmimeve ishte e gjatë. Ajo, madje ishte një figurë e rëndësishme në fushatën e Barack Obama dhe një hulumtuese e respektuar.
Dr. Ermira Babamusta, këtyre ditëve ka botuar librin shkencoro-hulumtues “Political trust in Kosovo” (Besimi politik në Kosovë), i cili ka zgjuar kërshërinë e madhe të lexuesve, jo vetëm në Sh.B.A., por edhe më gjerë.
Ky ishte shkaku që me Dr.Ermirën të zhvillojmë këtë intervistë ekskluzive, prandaj iu ftojmë që ta lexoni, sepse keni se çka të mësoni nga një femër - shembull.
Zj.Ermira, së pari iu falënderoj për gatishmërinë tuaj për intervistë dhe për kohën e çmuar që ndatë me ne. Më parë ka ekzistuar thënia e Nolit të madh “Mbahu nëno, mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”.Tash, besoj së këtij slogani duhet shtuar edhe vajzat/femrat, duke marrë parasysh juve, Eliza Dushkun, Masiela Lushta, Bebe Rexha, e shumë të tjera. A pajtoheni me këtë dhe cila është fuqia e femrës shqiptare në Sh.B.A.? Ermira Babamusta: Faleminderit i nderuar z. Shaqir dhe përshëndetje redaksisë dhe lexuesit e Telegrafit. I madhi Fan Noli ka patur plot aforizma të dobishme, si: “Moti i ri mos të gjejë vetëm një mot më plak, po edhe një mot më të mençur”. Fuqia e femrës shqiptare në Sh.B.A. karakterizon inteligjencë, arritje, ambicie, përkushtim, dhe kontribut në fusha të ndryshme. Ato shërbejnë si dhe urë lidhëse midis Amerikë-Shqiptari, bashkë me rolin e diasporës.
Amerika gjithmonë i ka qëndruar në krah mbrojtjes së çështjeve shqiptare dhe vlerave demokratike. Krenohem që në familjen time miqësia me Amerikën ka qenë pjesë e traditës tonë. Marrëdhëniet diplomatike të fisit Babamusta mes Shqipëri-Sh.B.A.-Angli-Kosovë e kanë pikënisjen që nga luftërat pushtuese, ku shteti shqiptar luftonte për pavarësi. Në këtë lidhje miqësie 100 vjeçare familja Babamusta ka rivendosur dhe forcuar lidhjet diplomatike shumëpalëshe për demokratizimin e Shqipërisë, avancimin e historisë dhe kulturës shqiptare, zgjidhjen e çështjes së Kosovës me një politikë proamerikane dhe proangleze për të konfirmuar pavarësinë e Kosovës.
Për të realizuar ëndrrat e mia nuk më ka munguar vullneti, dëshira, dhe këmbëngulja. Gjithmonë e gjej një mënyrë kreative për ta kthyer jo-në në po në jetë. Por mbi të gjitha besoj në Zot, dhe me vullnetin e të madhit Zot Jezus, kam patur shumë bekime në jetë.
Përkrahja nga familja ka qenë gjithmonë e pranishme në pikët me kulminante të jetës time. Gjatë studimit të masterit motra më sugjeroi për të aplikuar në OKB, gjë që mua më dukej diçka e paarritshme dhe e largët. Por me inkurajimin e motrës, ajo më tha pse mos ta provoj dhe unë. U befasova kur më zgjodhën për të punuar në Departamentin e Paqes në Nju Jork. Nga kjo mësova që duhet të kem gjithmonë besim në vete sepse njeriu nuk humbet në vetvete kur provon.
Nuk thuhet kot, “bëhu i/e ditur, për të qenë i/e lirë!” A jeni e lumtur ju me atë që keni arritur, apo ende jeni duke e ndjekur ëndrrën? Ermira Babamusta: Unë kam shumë ëndrra për të realizuar, kam një listë me 20 gjëra që dua të realizoj në këtë jetë dhe disa prej tyre jam e lumtur që ia kam dalë.
Liria dhe lumturia janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Njeriu gjen liri në lumturinë e tij kur realizon ëndrrat. Po ashtu ai gjen lumturi në lirinë e tij për të jetuar dëshirat e jetës. Çfarë e bën njeriun të lumtur në jetë? Besoj si qenie jemi komplekse dhe na përmbushin disa aspekte dhe jo vetëm një, pra nuk ka vetëm një lumturi. Njeriu e gjen vetveten në disa aspekte pozitive të përvojës qoftë kjo për mirëqenien personale apo shoqërore.
Mendoj se shëndeti mendor, psikologjik dhe emocional i njeriut duhet të jenë të shëndoshë për të perceptuar dhe përjetuar sa më mirë realitetin. Mund t’i kesh të gjithë të mirat, por kur nuk ke rehati shpirtërore, të mirat nuk të mjaftojnë. Mund të mos kesh asgjë, por ke dashuri përreth dhe ke gjithçka.
Neki dhe Suzana Babamusta, prindërit e Ermirës
Për të arritur tek të gjitha këto suksese nuk ka qenë lehtë, aq më shumë që keni shkuar nga një vend e izoluar, në një vend të madh demokratik. Si ishte rrugëtimi juaj deri më sot? Ermira Babamusta: Jam larguar vetëm në moshën 16 vjeçare nga vendlindja dhe familja. Në fillim ishte e vështirë sepse më ka përballur jeta me disa rrethana që duhet t’i dilja zot vetes. Por këto më kanë forcuar edhe më shumë si person. Prandaj më pëlqen t’i bëj dhe arrij gjërat vetë me forcat e mia.
Përvojat e mia në Kongresin Amerikan, puna për administratën e Presidentit Obama, dhe përvoja me OKB-në midis të tjerave më kanë forcuar karakterin, intelektin dhe aftësitë. Veçoj dhe takimin me Colin Powell gjatë punës në Kongres, për respektin që tregoi ndaj punës së familjes time Babamusta-Cani. Rrugëtimi im është në shërbim të Amerikës ku unë jetoj dhe punoj mbi 22 vite.
Së fundmi keni botuar librin hulumtues shkencor “Political trust in Kosovo” (Besimi politik në Kosovë). Çka keni synuar të arrini me këtë libër dhe a mund ta kemi së shpejti edhe në gjuhën shqipe? Ermira Babamusta: Që në 2008 kam patur në plan të botoj librin e parë, por u mora me fushatat presidenciale në Florida, Kolorado dhe Filadelfia kështu nuk pata kohë. Pasi përfundova me sukses doktoraturën, mendova se hapi i duhur ishte botimi i punimit tim shkencor meqë ofron statistika origjinale.
Së pari, libri është një kujtim për mua i arritjes së një fitore në jetën time – përfundimit të doktoraturës. Doktoraturën e bëra vetëm për prindërit e mi. Me këtë libër kurorëzoj një hap të madh që e arrita. Dhe patjetër që do jetë në shqip, dhe kam patur kërkesa dhe për në frëngjisht dhe gjermanisht.
Së dyti, libri “Besimi Politik në Kosovë” vlen si një “awakening” – zgjim për institucionet në vend për të kuptuar më së miri pikëpamjen e popullit (duke përfshirë diasporën dhe të huajt) ndaj politikës vendase dhe të jashtme.
Lojërat ballkanike janë të vjetra në histori, prandaj Kosova duhet të gjejë fuqinë e zërit të saj në politikën ndërkombëtare. Si dhe duhet të funksionojë demokracia për të patur zhvillim dhe progres vendor.
Falënderoj familjet Hyrie Gashi, familja Gëzim Kunoviku, Valbona Hajredini, Emine Emini, Halil dhe Arben Gashi, Afet Bela, Egzon Bunjaku, Vllaznim Fana për mikpritjet e përzemërta në Kosovë. Si dhe Alketa Beqari që erdhi posaçërisht nga Shqipëria dhe më shoqëroi në vizitën e fundit në Kosovë dhe vizituam Prizrenin së bashku. Pata rastin të vizitoj Mitrovicën, Pejën, Gjilanin dhe Shkupin.
Të gjithë vizitat e bëra në Kosovë kanë qenë për temën e masterit dhe doktoraturës dhe kjo më ka lidhur më shumë me vendin. Dua të falënderoj Deputetin Mehmet Hajrizi, zv. Ministrin Enver Dugolli, gjykatësin Bekim Sejdiu, Ministrin Glauk Konjufca, Ministren Edita Tahiri, Deputeten Vjosa Osmani dhe Ambasadoren Teuta Sahatqija që i patën të hapura dyert e zyrave të tyre për mua. Lista e plotë e falënderimeve, restoranteve që kam vizituar dhe takimet me dashamirësit e Kosovës janë përmendur në libër tek pjesa “Agjenda e udhëtimit në Kosovë” (fq. 267-274).
Në vizitën e fundit në 2017-18 vizitova dhe Gjakovën për herë të parë(vendlindjen e të parëve të nënës time) dhe më pëlqeu vendi historik “Çarshia e Vjetër”. Falënderoj themeluesit e Plisi Film, Izet Morina dhe Mentor Spahiu që më treguan vendin e nënës. Kam dëshirë të rikthehem në Gjakovë dhe Pejë sërish t’i vizitoj më gjatë.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar shqiptar dhe i huaj? Ermira Babamusta: Një nga analizat politike-filozofike që më ka pëlqyer është vepra e autorit nga Tetova, z. Bujar Plloshtani “Etikë dhe Politikë”. Ky libër filozofiko-shkencor trajton tema që janë tepër praktike dhe funksionale, që i përshtaten kohës moderne dhe shteteve përkatëse të Ballkanit. Nga të huaj kam lexuar disa libra akademikë filozofi-strategji. Më pëlqen të lexoj Biblën si dhe libra shkencor-historik.
Keni qëndruar afër presidentit Obama. Sigurisht, marrja me politikë është sfidë, por edhe art, nëse je e përkushtuar. Keni ndonjë politikan, ose politikane-model? Ermira Babamusta: Puna në qeverinë amerikane për Presidentin Obama ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mrekullueshme. Dhe kam parë nga afër ndikimin që kanë liderët dhe vendimet e tyre në jetën e qytetarëve. Më pëlqen arti i diplomacisë sepse lë vend për mirëkuptime dhe arritje të përbashkëta për palët e përfshira. Për politikanët lind pyetja: Kush e shkruan historinë, politikani/lideri, apo janë rrethanat historike që bëjnë liderin?
Mendoj se lideri është në shërbim të të mirës së kombit dhe popullit të tij që i shërben. I vejë rëndësi punës së individit duke lënë në mbrapaskena id-in e personit. Pra për mua identiteti i personit është vetë “legacy” trashëgimia që len më pas.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen e afërt? Ermira Babamusta: Kam botuar dy libra brenda një muaji: “Political Trust in Kosovo” dhe “The Legislative Journey of Employment Discrimination,” i cili doli Numër #1 në Botimet e Reja në Amazon. E mira e Amazonit është se porosinë e poston në disa shtete në botë, si Sh.B.A., Angli, Gjermani, Francë, Zvicër, Suedi, Spanjë, Itali, Kanada, Japoni, etj. Librat mund të shkarkohen edhe në uebfaqen e www.nyelitepress.com për studiuesit të nivelit master dhe doktoraturë për shkenca politike, administrim publik dhe ligj.
Tani po përkthej librin “Besimi Politik në Kosovë” në shqip, kam gati një libër të tretë “Diplomacy and Nation Building in Kosovo” (Diplomacia dhe Shtetformimi i Kosovës). Gjithashtu dhe babi, Neki Babamusta po përgatit librin e tij si dhe kam në plan të shkruaj një libër të pestë enkas për studentët për përgatitjen e temës së masterit dhe doktoraturës, që besoj do t’i ndihmojë shumë. /Telegrafi/























































