Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se në takimin e Asamblesë së PS në njësinë numër 5 mbajtur mbrëmjen e së dielës, deputeti Erion Braçe është vetëofruar për të kandiduar për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Ky qendrim i Braçes vjen në një kohë kur kryesocialisti Edi Rama ka deklaruar se kurdo të mbahen zgjedhjet në Tiranë, kandidatja e PS do të jetë Ogerta Manastirliu, e cila u shpall që në vjeshtën e vitit të shkuar kur u shpallën zgjedhje të parakohëshme për Tiranën, por që më pas u anuluan nga Gjykata Kushtetuese.


Mësohet se të pranishëm në takim kanë qenë edhe dy figura të rëndësishme të PS, si Taulant Balla dhe Fatmir Xhafaj që janë ngarkuar nga asambleja që të punojnë në këtë zonë të Tiranës që përveçse është edhe më e madhja, njihet edhe si bastion historik i socialistëve.

Erion Braçe u delegua në Tiranë në njësinë 5 pak javë para zgjedhjeve të 11 majit, duke u larguar nga Divjaka ku kishte qenë disa mandate rresht deputet i zgjedhur. Në listën e hapur, Braçe mori një rezultat të mirë, duke u renditur si i dyti më i votuari me 23 694 me vetëm rreth 1 mijë vota më pak se ministri Blendi Gonxhja.

Ky zhvillim brenda kampit socialist vjen një ditë pas mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar socialist dhe qeverisë, ku burime kanë bërë me dije se nuk kanë munguar edhe tonet ngritur apo edhe tensionet.

Braçe një ditë më parë përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë edhe detaje nga mbledhja ndërsa ka bërë me dije se kanë folur lidhur me shqetësimet qytetare por edhe ato të partisë.

Ai shtoi se forcimi i PS duke u hapur dhe pranuar idetë e të majtëve të rinj është një tjetër që qëllim i cili u diskutua. Sipas tij qëllimi nuk janë karriget por punët që vlejnë.

“PARTIA SOCIALISTEESHTE SHTEPIA JONE; EDHE E IMJA! PS5 ESHTE THELBI, ORIGJINA! Sot me Asamblene e PS5 kemi bere nje mbledhje shume te mire-te qete, duke folur per shqetesime qytetare dhe te vete partise ne kete njesi, sy me sy e me qellim te qarte zgjidhjen e tyre; respekti per mundin e sakrificen e gjithkujt ne kete organizate, eshte jetik per te tashmen e te ardhmen; puna eshte thelbi yne dhe per te folem, secili dhe te gjithe bashke, duke u perqendruar vecanerisht tani ne te-koha iken e nuk kthehet, ndaj vlen shume tani.

FORCIMI I PS DUKE U HAPUR, PRANUAR, PERFSHIRE TE MAJTE QE DUAN TE ZHVILLOHEN E ZHVILLOJNE IDETE E TYRE BASHKE ME PS, ishte nje tjeter qellim i mire per te cilin folem e do flasim edhe me tej! KARRIGET NUK JANE KURRE QELLIM, PUNA E PUNET VLEJNE”, shkruan ai. /euronews/