LAJMI I FUNDIT:

Erdogan në takim me Kurtin: Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo fushë

Erdogan në takim me Kurtin: Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo fushë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, theksoi se janë fokusuar në rritjen e vëllimit të tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në mbi një miliard dollarë, e cila momentalisht është afër 750 milionë dollarë.

Presidenca turke ka publikuar një njoftim lidhur me takimin midis liderëve Erdogan dhe Kurti në Kompleksin Presidencial në Ankara, transmeton agjencia turke e lajmeve Anadolu.

Sipas njoftimit, në takim janë trajtuar çështjet si marrëdhëniet midis Turqisë dhe Kosovës, “sulmet e Izraelit në tokat palestineze”, si dhe çështjet rajonale dhe globale.

Presidenti turk Erdogan pret në takim kryeministrin Kurti, pamje nga vizita
Lexo po ashtu Presidenti turk Erdogan pret në takim kryeministrin Kurti, pamje nga vizita

Presidenti i Turqisë Erdogan në takim ka theksuar se janë fokusuar në rritjen e vëllimit të tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në mbi një miliard dollarë, e cila momentalisht është afër 750 milionë dollarë, ndërsa ka potencial për të zhvilluar marrëdhëniet në shumë fusha, përfshirë në industrinë e mbrojtjes.

“Erdogan tha se mbështetja e Turqisë ndaj Kosovës do të vazhdojë në çdo fushë, se priten hapa nga Kosova, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe se është i mirëseardhur fillimi i zbutjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se është e rëndësishme që të sigurohet progres konkret lidhur me këtë çështje. Presidenti Erdogan theksoi se duhet të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për të përfunduar masakrat që i kryen në Gaza, të jepet mbështetje ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe se Palestina duhet të mbështetet në mënyrë aktive”, thuhet në njoftimin e Presidencës turke.

Për këtë takim ka shkruar në platformën X edhe kryeministri Albin Kurti.

“Sot u prita në Ankara nga Presidenti Erdogan. Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes. Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova  dhe Turqia, duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftojnë se Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe zhvillimit të tij, sikurse shprehu edhe falënderimin për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill të këtij viti dhe qëndrimin e Qeverisë së Turqisë në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate.

Ky ishte takimi i dytë dypalësh ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Erdogan. Takimi i parë i këtij lloji u zhvillua në Stamboll në shkurt të vitit 2023./Telegrafi/