LAJMI I FUNDIT:

Erdogan fiton betejën ligjore me Böhmermann

Erdogan fiton betejën ligjore me Böhmermann

Gjykata e Landit të Hamburgut ka vlerësuar si të drejtë ankesën e Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në lidhje me vjershën satirike me përmbajtje fyese të komedianit gjerman, Jan Böhmermann.

Gjykata vendosi që pjesa e madhe e vjershës, të cilën në parim e vlerësoi si “satirë” është në kundërshtim me ligjet dhe ndaloi publikimin e saj.

Në vendimin e saj gjykata parashikon një masë të përkohshme për Jan Böhmermannin, të cilin e ndalon që të recitojë sërish pjesët e vjershës me shprehje ofenduese dhe përbuzëse për Erdoganin.


Sipas vendimit të Gjykatës, Böhmermann mund të gjobitet me 250 mijë euro ose mund të dënohet me 6 muaj burg në rast se do të përsërisë pjesët në fjalë të vjershës satirike.

Vendimi i gjykatës nuk vjen vetëm për Jan Böhmermanin personalisht, por edhe për personat e tjerë të tretë dhe ndalon recitimin e pjesës më të madhe të vjershës në Gjermani, përcjell trt.net.tr.

Në emisionin “ZDF Neo Royal” të transmetuar më 31 mars në kanalin televiziv gjerman ZDF, Böhmerman kishte recituar një vjershë me përmbajtje ofenduese ndaj Presidentit Erdoan.

Më pas Turqia i kishte dërguar Gjermanisë një notë proteste, përmes të cilës kërkonte gjykimin e komedienit sipas nenit 103 të Kodit Penal gjerman.

Në bazë të kësaj kërkese qeveria gjermane kishte autorizuar Prokurorinë e Mainz-it për hetimin dhe gjykimin e rastit të Böhmermanit.