Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Enver Peci, ka shfaqur shqetësimin e tij për mosfunksionalizimin e KGJK-së që nga fundi i gushtit 2014.

“Shpresojmë se shumë shpejt edhe kjo sfidë do të tejkalohet, duke pasur parasysh konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga i cili varet edhe emërimi i pesë anëtarëve të këtij Këshilli”, është shprehur Peci.


Ndërkaq ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, Nasip Naço, ka njoftuar kryesuesin e KGJK-së me punën e ministrisë që drejton, organizimin, të arriturat dhe sfidat nëpër të cilat po kalon gjyqësori në Shqipëri.

“Vizita kishte për qëllim themelimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me institucionet e Kosovës, sidomos të sistemit gjyqësor, forcimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, bashkëpunimin në mes të dy vendeve. Palët shprehën gatishmërinë e thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit duke shkëmbyer ide dhe përvoja sa iu përket sistemeve gjyqësore që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit, vlerësimin e gjyqtarëve, luftën kundër korrupsionit me qëllim të tejkalimit të sfidave të të dyja vendeve”, është thënë në komunikatën e KGJK-së.

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë.