Mbrojtësi Mërgim Vojvoda ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së Kosovës kundër Suedisë, që zhvillohet të hënën (20:45) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mbrojtësi i Kosovës e pranoi se skuadra është përballë një sfide të madhe, por theksoi se besimi mbetet i lartë.


“Nuk është e lehtë. Po përballemi me ekipe që kanë marrë pjesë në Evropiane e Botërore. Nesër duhet të tregojmë që jemi më të uritur se Suedia, dhe kjo do të jetë pika kryesore e ndeshjes,” u shpreh Vojvoda.

Ai shtoi se humbja kundër Zvicrës nuk e ka shuar optimizmin e skuadrës dhe se pret reagim ndaj Suedisë.

“E dimë që i kemi humbur tri pikë, jo gjashtë apo dhjetë. Ende kemi mundësi për t’u kualifikuar. Sa të kemi gjasa, duhet të luftojmë me mundësitë tona”, nënvizoi Vojvoda.

Sa i përket mungesës së Amir Rrahmanit, Vojvoda pranoi se ajo do të ndihet, por theksoi rëndësinë e përkrahjes për Kombëtaren:

“Amiri është një lojtar me shumë cilësi dhe do të na mungojë. Por futbolli nuk është vetëm bastore apo vetëm për fitore. Shteti ynë duhet të përkrahet gjithmonë, edhe kur nuk fitojmë”.

“Kam besim të madh tek lojtarët e rinj dhe te përparimi që ka bërë Kosova si ekip duke nxjerr edhe shumë lojtar nga vendi. Pak kush po e sheh këtë zhvillim. Duhet të tregojmë një fytyrë të re dhe të luajmë me më shumë vullnet”, përfundoi ai.

Kosova kërkon fitoren e parë në Grupin B të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026, pas humbjes 4:0 në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës. /Telegrafi/

telegrafi sport app