Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas emërimit të Florian Dushit, si nënkryetar i Prishtinës.

Sveçla shkruan se këto ndërrime po bëhen për larje të borxheve në mes të grupeve të ndryshme të interesit që veprojnë në Komunën e Prishtinës, transmeton Telegrafi.


"Figura të vjetra në paketime të reja. Ndërrimet e pozitave në ekzekutivin e Kryeqytetit po bëhen për larje të borxheve në mes të grupeve të ndryshme të interesit që veprojnë në Komunën e Prishtinës e në subjektin që qeverisë me Prishtinën", ka shkruar ai.

Tutje, ai ka shkruar se "Asgjë parimore e meritore, nuk ka në këto ndryshime".

"Kur kanë mbetur 6-7 muaj deri në zgjedhjet e reja, përfitimi i qytetarëve të Prishtinës nga këto ndryshime është zero—ashtu siç ka qenë deri më tani".

Ndryshe, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Florian Dushi, i cili ka qenë drejtor i Inspektoratit, tashmë është zgjedhur nënkryetar i Prishtinës.

“Me kënaqësi njoftoj se Florian Dushi do të jetë nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm ka qenë i padiskutueshëm dhe jam i bindur se do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në pozitën e re, ku perfshihen edhe sektorët kyç si Inspektoriati, Shërbimet Publike, Zyra Ligjore dhe Administrata”, ka pohuar ai.